Ushtria amerikane do të dërgojë në Kosovë trupa nga Regjimenti i 2-të i Kalorësisë dhe njësi mbështetëse nga Divizioni i Parë i Këmbësorisë, në kuadër të misionit të Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), për të zëvendësuar Grupin Luftarak të Brigadës së 53-të të Këmbësorisë së Gardës Kombëtare të Floridës.
Në kuadër të rotacionit të planifikuar, pjesëtarë të Brigadës së Aviacionit Luftarak të Divizionit të Parë të Këmbësorisë do të zëvendësojnë gjithashtu Batalionin e 2-të të Regjimentit të 135-të të Aviacionit të Gardës Kombëtare të Kolorados.
Siç ka njoftuar misioni i Ushtrisë Amerikane në Evropë dhe Afrikë, ky rotacion mbështet përpjekjet e vazhdueshme të NATO-s për të optimizuar misionin e KFOR-it, pas një rishikimi nga Shtabi i Lartë i Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE).
Theksohet se ky ndryshim pasqyron përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe mbështet një qasje graduale, të bazuar në kushtet në terren, për të siguruar që KFOR-i të mbetet i pozicionuar siç duhet për përmbushjen e misionit të tij, ndërsa aleatët evropianë marrin përgjegjësinë kryesore, në përputhje me kalimin drejt modelit NATO 3.0.
Në njoftim thuhet gjithashtu se ky rotacion shënon po ashtu një ndryshim në mënyrën e angazhimit të forcave amerikane në këtë mision, duke kaluar nga trupat e Gardës Kombëtare te forcat e vëna në dispozicion përmes strukturave ushtarake të angazhimit jashtë vendit, duke ruajtur mbështetjen e vazhdueshme për KFOR-in.
Teksa Grupi Luftarak i Brigadës së 53-të të Këmbësorisë po përgatitet ta përfundojë rotacionin e tij, koloneli Samuel Sargent deklaroi:
“Shërbimi përkrah aleatëve dhe partnerëve tanë të NATO-s në Kosovë ka qenë një nder për ushtarët tanë. Grupi Luftarak i Brigadës së 53-të të Këmbësorisë mbetet krenar për profesionalizmin dhe përkushtimin që trupat tona kanë dëshmuar gjatë këtij misioni. Jemi të bindur se njësia që do të vijë do të vazhdojë t’i forcojë përpjekjet e KFOR-it për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për të gjitha komunitetet”.
Njoftimi më tej thotë se ushtarët amerikanë do të vazhdojnë të punojnë përkrah aleatëve dhe partnerëve të NATO-s për të ndihmuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të mbrojtur për të gjitha komunitetet në Kosovë, “në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
“Divizioni i Parë i Këmbësorisë, së bashku me kolegët tanë nga Regjimenti i 2-të i Kalorësisë, e konsiderojnë nder marrjen sërish përsipër të këtij misioni jetik. Ushtarët tanë janë në formë të mirë fizike, të motivuar, të disiplinuar, të trajnuar dhe të gatshëm të punojnë përkrah aleatëve dhe partnerëve tanë të NATO-s për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur në Kosovë”, tha koloneli Jabari M. Miller, zëvendësshef i mirëmbajtjes në Divizionin e Parë të Blinduar dhe komandant i ardhshëm i Komandës Rajonale – Lindje.
“E falënderojmë Grupin Luftarak të Brigadës së 53-të të Këmbësorisë për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm dhe mbetemi të përkushtuar për të siguruar mbështetje të vazhdueshme për misionin e KFOR-it”, shtoi ai.
ShBA-ja, thuhet në njoftimin për rotacion, mbetet e përkushtuar për mbështetjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe do të vazhdojë të bashkërendojë ngushtë me NATO-n dhe partnerët gjatë gjithë këtij tranzicioni. /Klankosova.tv