Forcat detare amerikane kanë shkarkuar tre pjesëtarë të lartë të ekuipazhit të nëndetëses bërthamore, e cila u përplas në një mal nënujor.
Komandanti Cameron Aljilani dhe dy të tjerë u shkarkuan pas një hetimi për incidentin që ndodhi në Detin Jugor të Kinës, territor ujor i kontestuar, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Nëndetësja amerikane “USS Connecticut” u ndesh në objekt muajin e kaluar, duke u detyruar që të dilte në sipërfaqe për një javë dhe të lundronte drejt territorit amerikan të Guamit.
Zyrtarët detarë thanë se anëtarët e ekuipazhit kanë mundur që ta parandalojnë përplasjen.
Javën e kaluar, forcat detare thanë se nëndetësja goditi një mal detar përderisa po patrullonte nën sipërfaqen e ujit. Mali detar është mal që bazën e ka në shtratin e detit ose të oqeanit.
Pesëmbëdhjetë detarë pësuan lëndime të lehta në aksident. Nëndetësja tash për tash është duke u kontrolluar për dëmtime të mundshme në Guam, në Oqeanin Paqësor, para se të kthehet në Uashington për riparime.
Nëndetësja “USS Connecticut” ishte duke operuar në njërin nga rajonet më të kontestuara në botë. Kina pretendon se shumica e Detit Jugor është territor i saj, por me këtë gjë nuk pajtohen vendet fqinje dhe Shtetet e Bashkuara.