ShBA-ja: Shqipëria mund të mbështetet te ne më shumë se kurrë më parë

Prishtinë | 01 Pri 2021 | 21:43 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria mund të mbështetet te Shtetet e Bashkuara, ashtu si Shtetet e Bashkuara mund të mbështeten te Shqipëria më shumë se kurrë – ky është mesazhi që SHBA-ja përcjell përmes Ambasadës në Tiranë me rastin e 12-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Dymbëdhjetë vjet më parë, Shqipëria u bë zyrtarisht anëtar i aleancës ndërkombëtare ushtarake, NATO. Pas përfundimit të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit nga të gjitha vendet anëtare dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin Amerikan të Shtetit, Shqipëria u anëtarësua zyrtarisht në NATO më 1 prill 2009. Shqipëria mori për herë të parë pjesë si anëtare me të drejta të plota të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior në samitin që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe të Kroacisë në NATO.

Para, por edhe pas anëtarësimit, Shqipëria ka ofruar kontributin e saj në operacionet ndërkombëtare të paqes të drejtuara nga NATO-ja, por edhe nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Shqipëria është bërë pjesë e dhjetëra operacioneve dhe misioneve ndërkombëtare në Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Irak dhe Afganistan, ndërsa gjatë 12 vjetëve si pjesë e Aleancës, Ushtria e Shqipërisë është përfshirë në një proces transformimi dhe modernizimi, që nga personeli dhe deri te pajisjet dhe mjetet ushtarake.

Në periudhën 1992-1999, Shqipëria vazhdoi përpjekjet rreth procesit të aderimit, duke u përfshirë në iniciativa të ndryshme dhe nënshkrimin e disa dokumenteve që do t’i hapnin rrugën procesit të anëtarësimit të plotë. Lidhur me këtë ditë të rëndësishme dhe kyç për Shqipërinë kanë reaguar dhe përshëndetur shumë personazhe të politikës dhe joshqiptare.

Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në “Facebook”, Ambasada e SHBA-së në Shqipëri thekson se Shqipëria është një mike e besuar dhe një aleate e fortë. Ambasada kujton fjalim e ish-presidentit amerikan, George W. Bush, gjatë vizitës së tij në Tiranë, më 10 qershor të vitit 2007.

“Shpresoj se vizita e sotme do të dërgojë te populli shqiptar mesazhin se ju mund të mbështeteni tek Amerika, ashtu si Amerika mund të mbështetet te ju, për të punuar fort për të përhapur lirinë dhe, si rrjedhojë, paqen”.

Në postimin e Ambasadës, shkruhet se Shqipëria ka mbështetjen e përhershme nga Shtetet e Bashkuara.

“Shqipëria mund të mbështetet te Shtetet e Bashkuara, ashtu si Shtetet e Bashkuara mund të mbështeten te Shqipëria më shumë se kurrë. Gëzuar përvjetorin e 12-të, Shqipëri!”.

Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka kujtuar 12-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke thënë se në këto vite ia kemi dalë ta fitojmë besimin e aleatëve si partnerë të besueshëm dhe kontribuues seriozë në sigurinë kolektive të Aleancës. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Xhaçka shkruan se sfida jonë tani është integrimi në BE dhe se edhe kjo me punë dhe përkushtim do të fitohet, duke filluar nga mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare brenda këtij viti.

Përmes publikimit të një videoje të punës së EOD-së, një strukture të Forcave të Armatosura, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka përshëndetur 12-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

“Prej 12 vjetësh, Shqipëria ka zënë vendin e saj në Aleancën e NATO-s, jo thjesht si një anëtar formal, por tashmë si një partner i dobishëm e i besueshëm. Nuk ka shembull më të dukshëm të kësaj dobie e besueshmërie, sesa rritja dhe përsosja e EOD-së, një strukturë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, e cila ka bërë emër të mirë dhe e ka nderuar vendin tonë në gjirin e NATO-s me suksesin e saj”, shkruan ministri Peleshi.

Nga lista e personave që kanë kujtuar këtë ditë nuk ka munguar edhe kryedemokrati, Lulzim Basha. Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Facebook”, ai ka publikuar edhe një video përmes së cilës shfaqet ai vetë ndër vite në takimet e tij me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

“Atëherë askush nuk e besonte, por ne e bëmë realitet. Ne shqiptarët e dimë kush jemi, e kemi treguar veten në ditë të vështira dhe kemi fituar. Misioni i ri: Bashkimi Evropian”, shkruhet në video.

Të ngjashme