Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, njoftoi se vendi i tij do të imponojë tarifa doganore për produktet e Bashkimit Evropian.
Trump në Twitter shkroi se BE-ja në tregti ka përfituar nga SHBA-ja dhe se kjo praktikë do të ndalet së shpejti.
“Organizata Botërore e Tregtisë konstaton se subvencionet e BE-së ndaj Airbus kanë ndikuar negativisht ndaj SHBA-së, e cila tani do të vë tarifa në vlerë prej 11 miliardë dollarësh për produktet e BE-së. BE-ja ka përfituar nga SHBA në tregti për shumë vite. Kjo do të ndalet së shpejti”, shkroi Trump.
Ky vendim i presidentit amerikan erdhi pasi Zyra e Tregtisë së SHBA-së, e cila funksionon në kuadër të Shtëpisë së Bardhë, krijoi një listë të produkteve ndaj të cilave do të vendosen tarifa, në kundërpërgjigje të subvencioneve ndaj kompanisë Airbus.
Ndërkaq, Departamenti i Tregtisë, duke cituar si arsyetim mbështetjen financiare që BE i ofron kompanisë Airbus, i paraqiti Shtëpisë së Bardhë listën e shumë produkteve të importuara nga BE, përfshirë produktet që kanë të bëjnë me aviacionin, produkte të qumështit dhe verëra.
Sipas departamentit, subvencionet e BE-së për Airbus dëmtojnë SHBA-në me 11 miliardë dollarë në vit.
Përfaqësuesi amerikan i Tregtisë, Robert Lighthizer, tha se qëllimi përfundimtar i tyre është “të arrihet pajtim me BE-në lidhur me ndalimin e subvencioneve të pabalancuara që ofrohen për prodhimin e avionëve të mëdhenj civilë. SHBA mund të heqë sanksionet shtesë kur BE t’u japë fund këtyre subvencioneve të dëmshme”.