Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të angazhuara në luftën kundër korrupsioni në Shqipëri.
Së fundmi drejtoresha e Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara, Julie Craven, ka zhvilluar një takim me drejtorin e përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismailin me të cilin ka diskutuar mbi planet e SHBA për mbështetjen në reformën e sistemit penitenciar.
Takimin e ka njoftuar vetë Ambasada amerikane në Tiranë në një postim në Facebook, ndërsa zbardh dhe detajet. Ambasada thekson se me investimin fillestar prej 920.000 dollarësh Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës do të ndërtojë programe që do shënjestrojnë burgjet ku mbahen disa prej kriminelëve më të mëdhenj.
Sipas ambasadës ky program do të forcojë aftësinë e personelit të burgjeve për të ndalur dhe shkatërruar aktivitetin e paligjshëm pas hekurave dhe do të aktivizojë procese për të luftuar korrupsionin në sistemin penitenciar.
“Drejtoresha e Byrosë për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara Julie Craven u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili për të biseduar mbi planet e Shteteve të Bashkuara për të mbështetur reformën e burgjeve në Shqipëri. Me në investim fillestar prej 920,000 dollarë, Byroja për Çështjet Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit dhe Luftës ndaj Drogës do të ndërtojë programe që do shënjestrojnë burgjet ku mbahen disa prej kriminelëve më të mëdhenj. Investimi i Shteteve të Bashkuara do të forcojë aftësinë e personelit të burgjeve për të ndalur dhe shkatërruar aktivitetin e paligjshëm pas hekurave dhe do të aktivizojë rocese për të luftuar korrupsionin në sistemin penitenciar. #ShBANdihmonShqiperineTeLuftojeKorrupsionin”