Në SHBA, drejtuesit kryesorë demokratë dhe republikanë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve i bënë thirrje Presidentit Donald Trump të hetojë helmimin e udhëheqësit rus të opozitës Aleksej Navalni.
Në një letër dërguar Presidentiit Trump, demokrati Eliot Engel, kryetar i komisionit dhe republikani Michael McCaul, numri dy i komisionit, i kërkojnë administratës të nisë një hetim mbi sulmin ndaj Navalni, duke thënë se mund të jetë e nevojshme që ndaj Moskës të ndërmerren sanksione.
Aleksej Navalni, një kritik i njohur i Presidentit Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht gjatë një fluturimi me avion brenda Rusisë dhe më pas u transferua në Gjermani për mjekim.
Qeveria gjermane tha më 2 shtator se rezultatet e toksikologjisë tregojnë se 44-vjeçari ishte helmuar me agjentin nervor Novichok të stilit sovjetik.
Kremlini ka mohuar çdo përfshirje në helmim dhe ka hedhur poshtë çdo akuzë për krim.
Të martën, përfaqësuesit e G-7s dënuan “helmimin e konfirmuar” të Navalnit, sipas një deklarate të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.