ShBA kundërshton pretendimet për tentim të ndërhyrjes në zgjedhjet e Bosnje-Hercevoginës

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 14:59 | Nga

Ambasada amerikane në Bosnje-Hercegovinë ka kundërshtuar “akuzat e tmerrshme”, se Uashingtoni ka kërkuar të ndërhyjë në zgjedhjet shtetërore të muajit të ardhshëm në këtë vend, duke i cilësuar “aktorë të papërgjegjshëm” ata që janë duke zhytur Shtetet e Bashkuara në “teori konspirative, akuza të pabaza dhe gënjeshtra”.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e saj online më 27 shtator, Ambasada ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk përkrahin asnjë kandidat partiak dhe refuzojnë të jenë pjesë e “manipulimeve” parazgjedhore.

Në fushatën e zgjedhjeve të përgjithshme, që mbahen më 7 tetor, diskursi publik “është dominuar nga një retorikë me bazë frike”, e cila ka krijuar “atmosferë helmuese”, është thënë në deklaratë.

Ambasada ka kritikuar disa politikanë që po tentojnë të kthejnë Shtetet e Bashkuara dhe vendet tjera në “armiq”, në vend që të përmendin “armiqtë e vërtetë të shtetit”, korrupsionin, papunësinë dhe shërbimet e dobëta publike.

Në deklaratë nuk është përmendur asnjë politikan, apo parti politike, mirëpo lideri i serbeve të Bosnjës, Millorad Dodik, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe për mbështetje të kundërshtarëve të tij si dhe ka kërkuar të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme.

Dodik, që garon për ulese të serbëve në presidencën tripalëshe të Bosnjës, ka thënë më 27 shtator se Uashingtoni dhe Londra kanë siguruar miliona euro për të financuar grupe të ndryshime opozitare në Republikën Serbe.

Presidenti pro-rus i Republikës Serbe, ka akuzuar muajin e kaluar Shtetet e Bashkuara për shfrytëzim të Agjencive amerikane për Zhvillim për të ndërhyrë në çështjet e brendshme të shtetit, pretendime që janë kundërshtuar nga Uashingtoni.

Liderët Perëndimorë po ashtu kanë akuzuar Moskën për ndërhyrje në punët e brendshme në Bosnjë dhe në ish-republikat e Jugosllavisë.

Të ngjashme