Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i dha sot mbështetje autoriteteve të Kosovës në vendimin për ndalimin e trenit serb që të hyjë në territorin e Kosovës.
Përmes një deklarate, ambasada amerikane thotë se Kosova ka të drejtë t’i kontrollojë kufijtë e vet.
“Kosova është një shtet sovran e i pavarur dhe ne e respektojmë të drejtën e Kosovës që ta kontrollojë se kush dhe çka kalon në kufijtë e saj. Jemi të lumtur që nuk pati konfrontime në kufi, por askush nuk përfiton nga rritja e nacionalizmit”, thuhet në deklaratë.
Por ambasada u ka bërë thirrje palëve që t’i shmangin konfrontimet dhe të angazhohen në dialog.
“SHBA-të e mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian si rruga më e mirë përpara për marrëdhëniet Kosovë- Serbi dhe kërkojmë nga të gjitha palët që ta shmangin retorikën e rrezikshme dhe të vazhdojnë të punojnë në normalizimin e marrëdhënieve dhe të jetëve të qytetarëve të të dyja vendeve”.
“Ne sot kremtojmë ditëlindjen e Dr. Martin Luter King Jr. i cili ka thënë “gjithmonë është koha e duhur për të bërë gjëra të duhura”; tani është koha të punohet për bashkëpunim dhe kundër konfrontimeve”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane në Kosovë.