SHBA ndan edhe 1.5 miliard dollarë për Ukrainën

Prishtinë | 15 Qer 2024 | 15:14 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris ka bërë të ditur se SHBA-ja ka ndarë më shumë se 1.5 miliard dollarë ndihmë pjesërisht për sektorin energjetik të Ukrainës dhe situatën humanitare si rezultat i pushtimit 27-mujor të Ukrainës nga Rusia.

Njoftimi u bë pasi Harris mori pjesë në një samit të paqes në Ukrainë në Luzern, Zvicër, ku ajo do të takoheh me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Shuma prej 1.5 miliard dollarësh përfshin 500 milionë dollarë fonde të reja për ndihmën e energjisë dhe ridrejtimin e 324 milionë dollarëve në fondet e shpallura më parë drejt riparimit emergjent të infrastrukturës energjetike dhe nevojave të tjera në Ukrainë.

“Këto përpjekje do të ndihmojnë Ukrainën t’i përgjigjet sulmeve të fundit të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës duke mbështetur riparimin dhe rimëkëmbjen, duke përmirësuar qëndrueshmërinë e Ukrainës ndaj ndërprerjeve të furnizimit me energji dhe duke hedhur bazat për riparimin dhe zgjerimin e sistemit energjetik të Ukrainës”, tha zyra e Harrisit.

Ajo njoftoi gjithashtu më shumë se 379 milionë dollarë ndihmë humanitare nga Departamenti i Shtetit dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar për të ndihmuar refugjatët dhe njerëzit e tjerë të prekur nga lufta.

Paratë janë për të mbuluar ndihmat në ushqim, shërbimet shëndetësore, strehimin dhe shërbimet e ujit, kanalizimeve dhe higjienës për miliona ukrainas.

Harris, e cila do të kalojë më pak se 24 orë në samitin e Luzernit të Zvicrës, do të qëndrojë në vend të presidentit amerikan, Joe Biden. Presidenti sapo të përfundojë pjesëmarrjen në Samitin e G7 në Itali do të kthehet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një mbledhje fondesh për fushatën presidenciale. /Telegrafi/

Të ngjashme