Sipas Universitetit Johns Hopkins, totali i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara ka tejkaluar 64.8 milionë që nga e premtja, me numrin e vdekjeve në mbi 848 mijë. Vala më e fundit e COVID-19 në Shtetet e Bashkuara, e nxitur nga varianti shumë infektiv Omicron, ka thyer rekorde të disa treguesve të pandemisë.
Statistikat nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) të publikuara të enjten treguan se Shtetet e Bashkuara tani kanë mbi 155 mijë të shtruar në spital, duke shënuar kështu një nivel të ri që nga fillimi i pandemisë.
Numri i rasteve të konfirmuara të të infektuarve me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara është rritur me shpejtësi për shkak të variantit Omicron, sipas njoftimeve të shumta në mediat amerikane. Deri më tani, mesatarja kombëtare ditore e rasteve të reja të konfirmuara është gati tre herë më e lartë se në kulmin e pandemisë dimrin e kaluar.
Përkeqësimi i pandemisë po dëmton sistemet shëndetësore në të gjithë vendin, duke detyruar farmacitë në Shtetet e Bashkuara të mbyllin përkohësisht disa dyqane për shkak të mungesës së stafit.
Shkollat në disa pjesë të Shteteve të Bashkuara po shqyrtojnë gjithashtu kthimin tek arsimi online për shkak të pandemisë.
Numri i shtrimeve në spital me COVID-19 në shtete si Kalifornia pritet të trefishohet deri në fund të janarit dhe rritja do të vazhdojë deri në fund të shkurtit. Kjo po ndikon edhe tek shkollat, të cilat po përpiqen t’i mbajnë dyert hapur, por të dhënat e fundit kanë bërë që shumë njerëz të thonë se mund të rikthehen tek mësimi në distancë në javët e ardhshme.
Për më tepër, dy nga kompanitë më të mëdha të farmacive në Shtetet e Bashkuara, Walgreens dhe CVS Caremark, duhet të mbyllin përkohësisht disa dyqane ose të përshtasin orarin e tyre të punës për shkak të rritjes së numrit të punonjësve të infektuar me variantin Omicron.
Me shtimin e pacientëve dhe humbjen e stafit mjekësor, shumë spitaleve u është dashur të pezullojnë pacientët jo të urgjencës dhe të trajnojnë anëtarët e Gardës Kombëtare për t’u kujdesur për pacientët.
Për shkak të një numri rekord të infektimeve nga varianti Omicron, sistemet mjekësore të 19 shteteve janë ngarkuar në maksimum, me më pak se 15 përqind të kapacitetit në pavionët e kujdesit intensiv, sipas Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS).
Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) njoftoi të premten se do të vazhdojë të ndihmojë shtetet në plotësimin e boshllëqeve në personelin mjekësor me anëtarë të Gardës Kombëtare për të lehtësuar presionin mbi spitalet dhe ka dërguar ndërkohë ekipe mjekësore ushtarake në gjashtë shtete, përfshirë Ohajon dhe Nju Jorkun.
Numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në shtëpitë e të moshuarve në Shtetet e Bashkuara është rritur disa herë në tre javë për shkak të variantit të përhapur Omicron, sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata Amerikane e Kujdesit Shëndetësor dhe Qendra Kombëtare për Jetesën e Asistuar. (AHCA/NCAL)
Të dhënat përfshijnë më shumë se 14 mijë shtëpi të të moshuarve në Shtetet e Bashkuara. Më 9 janar kishte 32.061 raste të reja të konfirmuara të COVID-19 në azile, më shumë se shtatë herë më shumë se 4.361 raste të raportuara më 19 dhjetor.
Numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në radhët e punonjësve të azileve më 9 janar ishte 57.243, gati një rritje prej dhjetëfish nga 5.919 raste të raportuara më 19 dhjetor.