Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për një raund të ri të sanksioneve për Korenë Veriore, pasi ShBA-ja ka deklaruar se Pheniani ka përdorur agjent toksik nervor për të vrarë vëllain e liderit Korean, Kim Jong Un, në vitin e kaluar.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert ka thënë përmes një deklarate se qeveria amerikane ka marrë këtë vendim më 22 shkurt, lidhur me rastin e vrasjes së Kim Jong Namon.
Sanksionet shtesë kundër Phenianit kanë filluar të zbatohen më 5 mars, pasi janë publikuar të dhënat edhe zyrtarisht, ka thënë ajo.
“Kjo shfaqje publike e përbuzjes së normave ndërkombëtare kundër përdormit të armëve kimike tregon për natyrën e pamatur të Koresë Veriore dhe thekson faktin se ne nuk mund të përballojmë që të tolerojmë ndonjë program të tillë të armëve të Koresë”, ka shtuar Nauert.
Kim Jong Namon ishte vrarë në aeroportin e Kuala Lampur, Malajzi, pasi dy gra e kanë spërkatur në fytyrë me agjent toksik nervor.
Sipas ligjit amerikan, kur një shtet shkel ndalimin për armët kimike dhe biologjike, vendohet një ndalim për importimin e produkteve të atij shteti.
Aktualisht, Koreja Veriore është nën një varg sanksionesh të SHBA-së dhe Kombeve të Bashkuara, andaj sanksionet e reja pritet të kenë pak ndikim.