ShBA vë sanksione ndaj organizatave iraniane për shkak të aktiviteteve me dronë

Prishtinë | 30 Tet 2021 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj dy individëve iranianë dhe katër organizatave që dyshohet se janë të përfshirë në programin e dronëve të Teheranit.

Sanksionet e fundit vijnë pasi Uashingtoni kërkon të rrisë presionin ndaj Iranit para planeve për të rihapur bisedimet mbi programin bërthamor të vendit.

“Mjetet ajrore pa pilot ose UAV-të vdekjeprurëse të Iranit janë përdorur në sulme ndaj anijeve ndërkombëtare dhe ndaj forcave amerikane”, tha Departamenti i Thesarit në një deklaratë.

Departamenti akuzoi gjithashtu Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) për furnizim me dronë grupit shiit libanez Hezbollah, lëvizjes Hamas dhe forcave rebele Houthi të Jemenit, raporton DW, transmeton Klankosova.tv.

“Përhapja e UAV-ve nga Irani në të gjithë rajonin kërcënon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar”, tha në një deklaratë zëvendës-sekretari i Thesarit Wally Adeyemo.

Të gjashtë objektivat janë të lidhur me IRGC-në, të cilën SHBA-ja e cilësoi si organizatë terroriste në vitin 2019 nën ish-presidentin Donald Trump.

Pasuritë e tyre në SHBA do të bllokohen dhe qytetarët amerikanë nuk do të mund të bëjnë më biznes me ta.

“Ne jemi të vendosur fort për t’iu kundërvënë të gjithë aktivitetit kërcënues të Iranit dhe atyre që e mbështesin atë”, tha sekretari amerikan, Antony Blinken.

Të ngjashme