ShBA-ja paralajmëron hapjen e zyrës në Beograd për nisje të “projekteve kyçe të normalizimit ekonomik”

Prishtinë | 09 Sht 2020 | 09:43 | Nga Ekonomia Online

Adam Boehler, udhëheqës i Korporatës amerikane për Financa dhe Zhvillim Ndërkombëtar, ka thënë se më 22 shtator të këtij viti do të dërgojë në Beograd një delegacion të nivelit të lartë për të hapur zyrën e këtij trupi atje.

Ai ka thënë se ka marrë këtë vendim pas marrëveshjes së arritur më 4 shtator në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Boehler ka thënë se menjëherë do të fillojë puna për projektet kyçe të normalizimit ekonomik.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë janë pajtuar të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.

Me këtë marreveshje, Kosova është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kurse Serbia në anën tjetër, është pajtuar që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Në bazë të marrëveshjes, Kosova do t’i bashkohet “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në marrëveshje gjithashtu përmendet edhe Liqeni i Ujmanit, ku thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme