Shef i Byros së Konfiskimit, të bëhet Martin Berishaj!

Prishtinë | 09 Shk 2023 | 16:58 | Nga Dardan Molliqaj

Edhe me ndryshimet e bëra, Byroja për Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme ngelet një instrument i sofistikuar politik i Albin Kurtit.

LDK iu përgjigj me duar lart gjyqeve publike e gjuetisë së shtrigave. Asnjë vend evropian nuk e ka një mekanizëm të tillë. Nevoja për ta dëshmuar pafajësinë përpara këtij pushteti nënkupton pranimin e tij si instancë etike. Bash kur skandali Martin Berishaj po bën kërdinë, disponimi antikorrupsion i tyre shkoi në VV. Inferioriteti në LDK po e çon atë te pushteti, ende pa marrë pushtet.

Nuk ka ndryshuar kontrolli absolut mbi përzgjedhjen e organeve drejtuese e mbikëqyrëse të Byrosë. Drejtori i Byrosë do të zgjedhet nga një shumicë e thjeshtë në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, nga 5 anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës të këtij institucioni, 4 janë nën kontrollin politik të Qeverisë duke pamundësuar një mbikëqyrje të pavarur. Zëvendësi i Avokatit të Popullit dhe Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, dhe Auditori i Përgjithshëm zgjedhën me shumicë të votave në Kuvend, përderisa Drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare zgjedhet nga Qeveria.

Ndryshimet e bëra në projektligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme as për së afërmi nuk e kanë zbehur karakterin e këtij institucioni si një mekanizëm për të bërë gjueti shtrigash. Për më tepër, ndryshimet e bëra vetëm sa i kanë shërbyer një fshehjeje të sofistikuar të kontrollit absolut që pushteti do ta ketë mbi këtë institucion.

Pritshmëritë se nga ky mekanizëm gjykatat tona do stërngarkohen me lëndë e për pasojë do shkaktojnë pasiguri të mëdha në raport me të gjitha pronat që do bëhen objekt shqyrtimi nga to, vazhdojnë të jenë reale dhe tejet shqetësuese.

Të ngjashme