Shefi i AKI-së pranon të largohet nga detyra

Prishtinë | 29 Dhj 2020 | 12:05 | Nga Ekonomia Online

Shefi i AKI-së, Kreshnik Gashi, ka pranuar të largohet nga pozita, ashtu siç i ka kërkuar kryeministri Avdullah Hoti.

Kreshnik Gashit i është kërkuar nga kryeministri Hoti, që ta lirojë pozitën në krye të Inteligjencës, pa u dhënë arsyet. Megjithatë, Gashi i është bindur kërkesës së Avdullah Hotit e Vjosa Osmanit.

Zyra e Kryeministrit e ka konfirmuar se shefi i AKI-së tashmë e ka pranuar largimin

“Ka pranuar kërkesën për lirim nga detyra”, ka thënë të martën shefja e stafit të kryeministrit, Ardita Dushi.

Sipas ligjit në fuqi, emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të AKI-së, bëhet në koordinim mes presidentit dhe kryeministrit.

Si rrallëherë prej që janë në pozita, kryeministrit Hoti ishte dakorduar me ushtruesen e detyrës, Vjosa Osmani, për shkarkimin e Gashit.

Asnjëra palë, as Presidenca e as Kryeministria, nuk ka treguar arsyet e largimit nga detyra të shefit të AKI-së.

Është thënë vetëm se shkarkimi i Gashit bazohet në ligjin për AKI-në, sipas të cilit rregullohen aktivitetet, të cilat nuk i lejohen agjencisë.

Ndërkaq, si arsye e mundshme e shkarkimit, Gazeta Express ka raportuar se mund të jetë tentimi i hapjes së kasafortës me dokumente konfidenciale në Presidencë, një ditë pasi kryeparlamentarja Osmani mori detyrën e presidentes, pas largimit të Hashim Thaçit.

U.d e presidentit, Vjosa Osmani, pas Gashit e ka pezulluar, më 15 dhjetor nga detyra, sekretarin e zyrës së presidentit, Driton Gashi, nën dyshimet për shkelje të rëndë të detyrave të punës. Gashi më parë ka qenë shef i AKI-së.

Kreshnik Gashi ishte emëruar në krye të inteligjencës kosovare në nëntor të vitit 2019, nga kryeministri i atëhershëm në detyrë, Ramush Haradinaj, në dakordim me ish-presidentin Hashim Thaçi.

Të ngjashme