Jeff Bezos do të udhëtojë në hapësirë me raketën e kompanisë së tij, si pjesë e ekuipazhit të kapsulës Blue Origin.
Themeluesi i kompanisë Amazon njoftoi të hënën se do të niset më 20 korrik nga Teksasi së bashku me vëllain e tij, zjarrfikësin Mark.
Bezos do të largohet nga posti i shefit ekzekutiv të Amazonit më 5 korrik, vetëm 15 ditë para nisjes drejt hapësirës.
Ai ka njoftuar se vendimi për të hequr dorë nga Amazoni bëhet për t’i kushtuar më shumë vëmendje kompanisë së tij hapësinore dhe gazetës së tij, Washington Post. Aktualisht ai zotëron 164 miliardë dollarë aksione në Amazon.
“Kur e sheh Tokën nga hapësira, të ndryshon. Ndryshon marrëdhënien e individit me planetin, me njerëzimin,” tha 57-vjeçari Bezos përmes një postimi në Instagram.
“Dua ta bëj këtë udhëtim sepse e kam pasur ëndërr gjatë gjithë jetës”.
Ai tha se kishte ftuar të vëllain, që e ka edhe shokun e tij më të ngushtë, në këtë udhëtim në mënyrë që të merrte kuptim edhe më të thellë.
Fluturimi i kapsulës Blue Origin shënon fillimin zyrtar të udhëtimeve turistike në hapësirë. Kompania ende nuk ka filluar të shesë bileta publikisht dhe ende nuk ka bërë të ditur çmimin e biletës për udhëtime të shkurtra që ofrojnë mundësinë e qëndrimit tre minuta jashtë forcës së rëndesës së Tokës. Ende nuk dihet se kush do të jenë tre udhëtarët e tjerë në udhëtimin e parë turistik në hapësirë.