Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, e ka pritur në takim Shefin e Zyrës së BE-së, Tomash Szunyog, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast ai ia ka dorëzuar Konjufucës edhe Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën.
Kjo ngase kur këtë dokument ua kishte dorëzuar presidentes e kryeministrit, Konjufca kishte lënduar këmbën e nuk ishte paraqitur disa ditë në punë.
Kryetari Konjufca e njoftoi Ambasadorin Szunyog përkitazi me punën e deritashme, arritjet, planet dhe sfidat e Legjislaturës së VIII-të, teksa ka përmendur përmbushjen e konsiderueshme të agjendës legjislative, pastaj miratimin e Rregullores së re të Punës, pas më shumë se një dekade përpjekjesh, si dhe miratimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme që lidhen me Agjendën e Reformave Evropiane, që prej kohësh nuk kishin arritur të miratoheshin.
“Është e rëndësishme të theksohet fakti se Kuvendi vetëm gjatë sesionit pranveror të këtij viti ka arritur të miratoi 87 ligje, shifër kjo më e larta e arritur gjatë një sesioni”, tha Kryetari i Kuvendit.
Duke folur për Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, Kryetari Konjufca vlerësoi se dokumenti në fjalë pasqyron progresin e arritur si asnjëherë më parë dhe po ashtu shërben si udhërrëfyes për institucionet tona shtetërore që të angazhohen edhe më shumë në përmbushjen e detyrave, sidomos në ato fusha ku mund të bëhet më shumë.
Tutje, Kryetari i Kuvendit njoftoi se ditëve në vijim do t’i shqyrtojnë dhe analizojnë gjetjet e Raportit dhe përmes një plani të posaçëm veprimi do t’i adresojnë të gjitha të gjeturat, duke thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës është i përkushtuar për t’i adresuar të gjitha rekomandimet e Komisionit Evropian.
Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit dhe vazhdimin e mbështetjes së legjislativit në funksion të avancimit të agjendës së përbashkët evropiane.