Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomash Szunyog, ka vizituar stadiumin “Fadil Vokrri”, ku ka takuar krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe selektorin Bernard Challandes, raporton Ekonomia Online.
Szunyog, po ashtu ka takuar kapitenin e përfaqësueses të Kosovës, Amir Rrahmani, para fillimit të seancës stërvitore.
Ambasadori Szunyog tha se ka kuptuar që në Kosovë futbolli është sporti më i rëndësishëm.
Szunyog tregoi se dikur edhe vetë ka luajtur futboll dhe siç thotë ai, ky sport është pjesë e jetës së tij. Ai shtoi se shpreson që në të ardhmen futbolli t’i bashkojë njerëzit.
“Jam i nderuar që isha me trajnerin dhe kapitenin e kombëtares. Për mua kjo është e rëndësishme, meqë jam tifoz i futbollit. Kur kam qenë i ri kam luajtur futboll kështu që futbolli është pjesë e jetës sime. Unë jam nga Republika Çeke dhe kam ndjekur ndeshjet e Kosovës me Republikën Çeke. Kuptova se Kosova ka ndeshje nesër, dhe e shikova parapërgatitjen e stadiumit për këtë ndeshje”.
“Kam kuptuar se futbolli është sporti më i rëndësishëm në Kosovë. Shpresoj që në të ardhmen futbolli t’i bashkojë njerëzit. Fatkeqësisht, ndeshjet po luhen pa tifozë, mirëpo shpresojmë që pas përfundimit të pandemisë, shikuesit të kthehen për ta përkrahur lojtarët”, tha ai.
Ndërsa Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, tha se ekipi kombëtares tashmë është i kompletuar dhe i gatshëm për të gjitha ndeshjet që e presin.
“Ju po e shihni se çfarë rëndësi ka futbolli, çfarë impakti të lartë ka futbolli në arenën ndërkombëtarë dhe është arritur që për një periudhë të rrisim imazhin e shtetit të Kosovës dhe të futbollit; megjithëse është e vështirë të mbash këtë ritëm”, tha ai.
Ai tha se formati i ri i garave është shumë i vështirë edhe për lojtarët.
“Sa i përket ndeshjeve ju po e shihni që formati i ri i garave duhet të ketë tri ndeshje që është shumë e vështirë edhe për lojtar edhe për staf edhe organizim dhe kjo vetme thotë se sa e rëndësishëm është që të kemi edhe një stadium nacional i cili përmbushë të gjitha kriteret që e ka nxemjen poshtë, por edhe në këto kushte të vështira po arrijmë që të përgatitemi për ndeshje ndërkombëtare”.
“Mos harroni se në ndeshje ndërkombëtare duhet plotësuar 220 pika dhe çdo gjë duhet të jetë në vendin e duhur, prandaj kemi një ekip të ri që veç se ka bërë përvojë dhe çdo shqiptar kudo që është, dhe thamë që do ta ftojmë kur do ta për urojmë kompleksin e ri teknik që do të bëhet në Hajvali”, tha Salihu.
Kosova të mërkurën luan ndeshje miqësore në Prishtinë kundër Lituanisë, ndërsa më 28 mars luan kundër Suedisë në Prishtinë, ndeshje e vlefshme për kualifikimet e Botërorit 2022.
Pas Suedisë Kosova ndeshjen e radhës për kualifikimin në botëror e luan më 31 mars kundër Spanjës në Sevilla.