Drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara , William Burns, ka udhëtuar drejt Moskës për të biseduar me zyrtarët rusë të sigurië, në kohën e tensioneve të vazhdueshme në mes të dyja shteteve.
Burns dhe Nikolai Patrushev, udhëheqës i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, “kanë diskutuar marrëdhëniet Rusi-SHBA”, është thënë në një komunikatë për media të këtij Këshilli më 2 nëntor.
“Drejtori i CIA-s, William Burns, me kërkesë të presidentit, është duke udhëhequr një delegacion të zyrtarëve të lartë amerikanë në Moskë më 2 dhe 3 nëntor”, ka thënë Ambasada amerikane në Moskë.
“Ata janë duke takuar pjesëtarë të Qeverisë ruse për të diskutuar një mori çështjesh në marrëdhëniet bilaterale”, është thënë në deklaratë.
Marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara janë në nivelet më të ulëta prej periudhës pas Luftës së Ftohtë, kryesisht për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane, aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska, konfliktet në lindje të Ukrainës, sulmet kibernetike që dyshohet se i kanë kryer hakerët rusë dhe helmimin e kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se pavarësisht tensioneve, administrata e tij është duke kërkuar për mënyra të bashkëpunimit me Moskën për çështje specifike, siç janë zvogëlimi i armëve strategjike, bisedimet me Iranin për armë bërthamore dhe luftimin e sulmeve kibernetike.