“Njerëzit që po përhapin dezinformata në lidhje me vaksinat kundër Covid-19 janë kriminelë që i kanë kushtuar njerëzimit miliona jetë”, tha shfei i Pfizer, Albert Bourla.
Bourla e tha këtë në një intervistë me Këshillin Atlantik të Washingtonit, duke shtuar se është një grup “shumë i vogël” njerëzish që me qëllim krijojnë dhe përhapin dezinformata rreth vaksinave, duke krijuar dyshime te njerëzit që tashmë hezitojnë të vaksinohen kundër Covid.
“Këta njerëz janë kriminelë. Ata nuk janë njerëz të këqij, ata janë kriminelë që fjalë për fjalë i kanë kushtuar njerëzimit miliona jetë”, tha Bourla.
CNBC kujton se miliona amerikanë janë ende skeptikë për t’u vaksinuar kundër Covid-19, edhe pse atje, por edhe në një sërë vendesh të tjera, ka më shumë se mjaftueshëm vaksina. Ekspertët e shëndetit publik thonë se një rol të madh në këtë e luan edhe keqinformimi për vaksinat.
Miliona amerikanë besojnë gënjeshtrën për vaksinat
Sipas një studimi të publikuar të hënën nga Fondacioni Kaiser Family, më shumë se tre të katërtat e të rriturve amerikanë ose besojnë ose nuk janë të sigurt për të paktën një në tetë pretendime të rreme për Covid ose vaksina.
Ndër pretendimet e rreme kryesore që ata u besojnë janë se vaksinat përmbajnë mikroçipe, që shkaktojnë infertilitet dhe se e ndryshojnë strukturën e ADN-së, thotë studimi.
Shefi ekzekutiv i Pfizerit tha se jeta për shumicën dërrmuese të njerëzve mund të kthehet në normalitet kur shumica e atyre që janë ende të pavaksinuar do të vaksinohen, transmeton Express.
“Sinqerisht, e vetmja gjë që qëndron mes një jete normale dhe jetës që ne jetojmë tani është hezitimi ndaj vaksinave”, tha Bourla.