Shefi i Spitalit të Ferizajt mbush veturën me para të shtetit

Prishtinë | 13 Jan 2022 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Ushtruesi Detyrës së Drejtorit të Spitalit të Ferizajt, Halit Gërbeshi, ka keqpërdorur institucionin publik për nevoja personale. Gërbeshi për disa muaj ka keqpërdor me derivate të naftës, duke e mbushur veturën e tij personale me karburant nga pompa “HIB”, derisa këto po ia faturon Spitalit rajonal të Ferizajt.

Paparaci posedon njërën prej faturave, ku shihet se Gërbeshi me datën 26.10.2021 kishte mbushur me 51 litra naftë veturën e tij personale Hyundai, derisa këtë ia faturonte Spitalit Rajonal të Ferizajt.

Por, siç duket Gërbeshi nuk është ndalur me kaq. Sipas burimeve të Paparacit, Gërbeshi ia ka faturuar edhe shtatë fatura të njëjta Spitalit ku ai udhëheq, e të cilat kapin vlerën mbi 300 euro.

Gërbeshi i kontaktuar nga Paparaci, e ka pranuar se ka keqpërdorur me institucionin publik, me arsyetimin se nuk ka qenë në dijeni se një gjë e tillë nuk i lejohet.

“Ka qenë gabim i jemi dhe e pranoj që e kam bërë. Nuk kam qenë në dijeni që kjo nuk na lejohet. Nuk e di se a janë në dijeni bordi i ShSKUK-së”.

E për keqpërdorimin e Gërbeshit, nuk është në dijeni as Bordi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Kryesuesja e Bordit Drejtues të SHSKUK-së, Arjeta Gecaj-Gashi, për Paparaci ka thënë se i njëjti nuk e ka pasur aprovimin e ShSKUK-së.

“SHSKUK nuk është në dijeni, dhe nuk ka pasur aprovim prej neve”.

Ndryshe, Halit Gërbeshi me 9 gusht të vitit 2021 kishte pranuar detyrën si Ushtrues Detyre në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme