Udhëheqësi i rrjetit social, Twitter, Jack Dorsey ka qëndruar mbrapa vendimit për t’ia ndaluar presidentit amerikan, Donald Trump qasjen në këtë platformë, mirëpo ka pranuar se ky veprim përbën shembull të rrezikshëm.
Dorsey, kompania e të cilit është kritikuar pasi i ka bllokuar llogarinë Trumpit, ka thënë se beson se “ky ka qenë vendimi i drejtë për Twitterin”.
Sipas tij, ky rrjet social “është përballur me rrethana të jashtëzakonshme, duke na detyruar të gjithëve që të fokusohemi në veprimet tona për siguri publike”.
Twitter ka fshirë llogarinë e Trumpit javën e kaluar, duke cituar rrezikun e dhunës në të ardhmen, pas sulmit në Kongres nga mbështetësit e presidentit.
Dorsey ka thënë se çdo sulm që ndodh jashtë, si pasojë e gjuhës online “është ajo që ka të bëjë me politikat tona”.
Megjithatë, ai ka thënë se bllokimi i Trumpit përbën shembull, që sipas tij është i rrezikshëm, rreth “fuqisë së një individi apo një korporate që ka në bisedën publike globale”.
Trump ka shfrytëzuar llogarinë e tij në Twitter përgjatë presidencës së tij për të folur drejtpërdrejt me më shumë se 88 milionë mbështetës.
Kjo ndalesë ka nxitur kritika nga ana e disa republikanëve që kanë thënë se një gjë e tillë dëmton të drejtën e presidentit për fjalë të lirë.
Përveç platformës Twitter, edhe Facebook dhe rrjete tjera sociale kanë fshirë llogaritë e Trumpit, apo kanë thënë se planifikojnë të bëjnë një gjë të tillë.