Shefi i ushtrisë zvicerane alarmon: Nuk mund të mbrohemi nga një sulm në shkallë të plotë

Prishtinë | 28 Dhj 2025 | 13:55 | Nga Ekonomia Online

Kreu i forcave të armatosura të Zvicrës ka paralajmëruar se vendi nuk është në gjendje të mbrohet nga një sulm në shkallë të plotë dhe se, përballë rreziqeve në rritje që vijnë nga Rusia, është e domosdoshme rritja e shpenzimeve ushtarake.

Shefi i ushtrisë zvicerane, Thomas Süssli, ka deklaruar për gazetën NZZ se Zvicra është e përgatitur për kërcënime nga “aktorë jo-shtetërorë”, sulme ndaj infrastrukturës kritike dhe sulme kibernetike, por ka theksuar se ekzistojnë boshllëqe serioze në pajisjet ushtarake.

“Ajo që nuk mund të bëjmë është të mbrohemi nga kërcënimet nga distanca ose edhe nga një sulm në shkallë të plotë ndaj vendit tonë”, ka deklaruar Süssli, i cili pritet të largohet nga detyra në fund të vitit.

Ai ka shtuar se situata është alarmante edhe sa i përket pajisjes së trupave. “Është e rëndë të dish se në një emergjencë të vërtetë, vetëm një e treta e të gjithë ushtarëve do të ishin të pajisur plotësisht”, ka thënë ai në intervistën e publikuar të shtunën.

Zvicra ndërkohë ka nisur rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, modernizimin e artilerisë dhe sistemeve tokësore, si dhe zëvendësimin e avionëve të vjetër luftarakë me Lockheed Martin F-35A. Megjithatë, ky plan po përballet me tejkalime të kostove, ndërsa kritikët kanë vënë në pikëpyetje shpenzimet për artileri dhe municione, për shkak të gjendjes së vështirë të financave federale.

Süssli ka theksuar gjithashtu se qëndrimet ndaj ushtrisë në Zvicër nuk kanë ndryshuar ndjeshëm, pavarësisht luftës në Ukrainë dhe përpjekjeve të Rusisë për të destabilizuar Evropën. Sipas tij, kjo lidhet me distancën e vendit nga konfliktet, mungesën e përvojës në luftë dhe besimin e gabuar se neutraliteti ofron mbrojtje.

“Por kjo është historikisht e pasaktë. Ka disa vende neutrale që ishin të paarmatosura dhe u tërhoqën në luftë. Neutraliteti ka vlerë vetëm nëse mund të mbrohesh me armë”, ka deklaruar ai.

Zvicra është zotuar të rrisë gradualisht shpenzimet e mbrojtjes në rreth 1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri rreth vitit 2032, nga rreth 0.7 për qind sa janë aktualisht, nivel ky shumë më i ulët se 5 për qindëshi për të cilin janë pajtuar vendet e NATO-s.

Sipas ritmit aktual, ushtria zvicerane pritet të jetë plotësisht e gatshme vetëm rreth vitit 2050.

Të ngjashme