Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka njoftuar se është takuar sot me Ministrin për Administrim të Pushtit Lokal, Elbert Krasniqin, për të folur rreth zgjedhjeve në veri.
Szunyog thotë se zgjedhje të reja duhet të mbahen sa më shpejt në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Ai thotë se ato duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe duhet të sigurohet pjesëmarrja e plotë e serbëve lokalë.
“Diskutuam për zgjedhjet e parakoshme në veri të Kosovës me Ministrin Elbert Kransiqi. U përsërit se zgjedhjet e parakohshme duhet të organizohen sa më shpejt që munden, në katër komunat, në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse me pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e publikuar në “X”.
Momentalisht katër komunat veriore udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë, të zgjedhur në prill, në zgjedhjet e bojkotuara nga përfaqësues serbë, që rezultuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve.
Qeveria e Kosovës u pajtua të mbajë zgjedhje të reja, pas më shumë se një muaj tensionesh, që nisën në fund të majit, kur kryetarët e rinj hynë për herë të parë në ndërtesat komunale.