Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë dhe Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, theksoi sot para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit se tremujori i fundit ka qenë i dominuar nga mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë dhe negociatat pasuese për krijimin e një qeverie të re.
Në raportimin e tij të rregullt për Kosovën, PSSP Tanin u shpreh se vakumi i institucioneve funksionale ka sfiduar përparimin në prioritetet qeverisëse dhe shtoi se “gjatë kësaj periudhe u humbën mundësi të rëndësishme ekonomike dhe sociale.” Ai poashtu theksoi se zgjedhjet “në përgjithësi ishin të lira, të drejta dhe garuese, përkundër kohës së shkurtër të përgatijeve dhe fushatës.” U shqua zëri i shumë votuesve më të rinjë, për të cilët shqetësim dominues ishin mundësitë ekonomike, zvogëlimi i korrupsionit dhe fuqizimi i sundimit të ligjit.
Duke folur për iniciativën e propozuar nga Presidenti i Serbisë, Vuqiç, për një dialog të brendshëm mbi Kosovën, PSSP Tanin nënvizoi se “ndjekja e kompromiseve të drejta, dhe shpesh të vështira e të dhimbshme, kërkon udhëheqje të fuqishme nga të gjitha palët.” Ai theksoi se pajtimi politik duhet poashtu të përcjellet nga pajtimi shoqëror.
PSSP Tanin theksoi përpjekjet e UNMIK-ut për të mbështetur avancimin e raporteve në mes të bashkësive në terren. Në lidhje me këtë, ai theksoi tryezën e rrumbullaktë të mbajtur në Gjenevë, në bashkëpunim me Komisionerin e Lartë për të Drejta të Njeriut, për ta kthyer vëmendjen tek shumë raste të pazgjidhura të personave të pagjetur në Kosovë. Iniciativa të tjera të udhëhequra nga OKB-ja për të forcuar marrëdhëniet në shoqëri përfshijnë Asamblenë e Parë të të Rinjëve të Kosovës, ku morën pjesë mbi 140 liderë të rinjë – 60 përqind prej të cilëve ishin vajza – që përfaqësonin të gjitha bashkësitë etnike në Kosovë.
Pas tre muajsh të fushatës elektorale dhe pasigurisë paszgjedhore, PSSP Tanin nënvizoi rëndësinë që Kosova të ecën përpara me seriozitet dhe përgjegjësi, dhe që bashkësia ndërkombëtare të bashkëpunojë për të siguruar mbështetje të vazhdueshme thelbësore.