Vajza e themeluesit të gjigantit teknologjik kinez, Huawei, Meng Wanzhou është arrestuar në Kanada dhe mund të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara.
Arrestimi i Wanzhou, 46 vjeçare, njëherësh shefe financiare në Huawei, ka ngritur dilema të reja rreth armëpushimit 90 ditor në tregti të arritur mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij kinez, Xi Jinping në ditën e shtunë, në ditën kur ajo është ndaluar.
Arrestimi i saj, i cili është bërë i ditur të mërkurën nga autoritetet kanadeze është i lidhur me sanksionet amerikane, ka thënë një person i afërt me këtë çështje.
Arrestimi dhe aplikimi potencal i sanksioneve ndaj gjigantit të telefonave të mençur, mund të ketë pasoja të mëdha për kompaninë.
Huawei veçse është nën presion të madh nga Shtetet e Bashkuara dhe qeveri të tjera Perëndimore për lidhjet që ka me Qeverinë kineze, duke rritur shqetësime se kompania mund të jetë përdorur nga shteti për spiunim.
Mirëpo Huawei në anën tjetër ka përsëritur vazhdimisht se Pekini nuk ka ndikim në të.
Meng, një nga nënpresidentet e kompanisë dhe vajza e themeluesit, Ren Zhengfei, është arrestuar më 1 dhjetor me kërkesë të autoriteteve amerikane dhe një seancë dëgjimore është caktuar të premten, ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë së Kanadasë.
Huawei, që ka fituar vitin e kaluar 93 miliardë dollarë vitin e kaluar ka konfirmuar arrestimin.
“Kompanisë i janë dhënë shumë pak informacione lidhur me akuzat dhe nuk ka njohuri për ndonjë keqbërje nga zonja Meng”, është thënë në deklaratë.
Ajo është ndaluar teksa ka qenë duke ndërruar fluturimet në Kanada, ka shtuar kjo kompani.
Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme kineze, Geng Shuang i ka thënë një të përditshmeje të enjten se Kina i ka kërkuar Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara për një sqarim rreth arrestimit të Mengut, mirëpo ata nuk kanë “ofruar ndonjë informacion”.