Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë janë të përqendruara fuqishëm drejtë përmirësimit të bashkëpunimit të ndërsjellë edhe në sferën e mbrojtjes. Me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO rajoni bëhet shumë më i sigurt dhe më stabil.
Ky është konstatimi i përbashkët nga konferenca e sotme për shtyp e dy ministreve të Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë, Radmilla Shekerinska dhe Olta Xhaçka, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas Shekerinskës, Shqipëria gjithmonë ishte fqinje dhe mike e mirë, por duke filluar nga ky vit presim që të jetë aleate e jona dhe partnere si pjesë e NATO-s.
“Këtë vit dhe vitin e kaluar jo vetëm fjalët, por edhe veprat treguan se dy vendet tona janë mike të vërteta, dinë që në momentet më të rëndësishme të japin mbështetje të plotë”, deklaroi Shekerinska duke theksuar se më 14 shkurt Shqipëria si vendi i tretë, pas Greqisë dhe Sllovenisë e ratifikoi Protokollin për anëtarësim në NATO.
“Fakti që fqinjët tone si Greqia, Shqipëria, Bullgaria dhe Sllovenia të parat e ratifikuan Protokollin për anëtarësim në NATO, tregon se NATO vlerat janë edhe vlera tona, dëshirojmë të bashkëpunojmë, të respektohemi dhe të japim mbështetje. Anëtarësimin në NATO e merituam dhe punuam për të, por është fakt se Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ndalet këtu. NATO-n e shohim si mundësi për jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve, për ekonomi më të mirë si dhe mundësi për institucione më të mira”, deklaroi ministrja Shekerinska.
“Stabilitetin dhe sigurinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shqipëria e sheh si kusht kryesor për siguri të të gjithë rajonit”, deklaroi mes tjerash ministrja e Mbrojtjes së Shqipërisë Olta Xhaçka derisa nënvizoi edhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve, si vendim i rëndësishëm që kërkoi guxim dhe lidership të mirë.
“Janë krijuar kushte dhe klimë e mirë për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, si një nga kushtet kryesore për integrimin e vendit tuaj në strukturat euroatlantike, për çka do ta keni përkrahjen tonë”, tha Xhaçka.