Gjatë një seance të hapur stërvitore të skuadrës, Colo Colo, disa tifozë u lënduan pasi u shemb një pjesë e stadiumit “Monumental”.
Sipas mediumit kilian, “La Tercera”, deri te shembja erdhi pasi tribunat ishin të stërmbushura me tifozë – transmeton Gazeta Express.
Dhe, disa prej tifozëve vendosen që të ngjiteshin në shtyllat e vendosura për tabelat reklamuese, duke ndihmuar kështu në shembjen e një pjese.
Stërvitja e hapur e Colo Colo, e njohur si “Arengazo”, është një traditë e klubit ku tifozët duhet të brohorasin për ekipin e tyre brenda stadiumit përpara ndeshjeve të rëndësishme. Të dielën do të përballen me Universidad Catolica.
Klubi Colo Coli lëshoi një deklaratë zyrtar pas kësaj që ndodhi të shtunën, ku mes tjerash shkroi se “tifozët nuk respektuan standardet e sjelljes”.
“Na vjen keq për ngjarjet që ndodhën sot… ku një grup njerëzish nuk respektuan standardet minimale të sjelljes duke u ngjitur në një strukturë për reklamim, mbi të cilën u hodhën dhe bënë që një pjesë e saj të shembet. Fatkeqësisht, disa nga të përfshirët u lënduan dhe u dërguan në qendrën më të afërt mjekësore”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e klubit gjithashtu u theksua se do të vazhdojnë me përkushtimin dhe vullnetin e tyre për të vazhduar “të bëjnë të gjitha përmirësimet e nevojshme për të garantuar sigurinë e tifozëve tanë”.
Nuk ka ende informacione se sa persona janë lënduar gjatë incidentit në fjalë.