Shembull i mirë: Drejtori i Prizrenit punon fizikisht për familjet e varfra (Foto)

Prishtinë | 25 Maj 2020 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Nuk është punëtor krahu. Që tri vjet mban postin e drejtorit të Drejtorisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në Prizren. Prejse është shfaqur pandemia në Kosovë, e ka hequr kravatën nga qafa.

Nga posti i drejtorit, ai tash kryen punë fizike.

Ngarkon e shkarkon kamionë me thasë të miellit dhe gjërat të tjera ushqimore.

Krejt këtë punë e bënë për familjet në nevojë.

Drejtori i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Prizren, Fejzë Kabashi, për dy muaj të kohës së pandemisë, ka ngarkuar e shkarkuar kamionë me mbi 600 thasë miell dhe 1200 pako të ndryshme ushqimore.

“Deri më tash i kam ndihmuar 3 mijë familje të varfër”, tregon Kabashi për “PrizrenPress”.

Ai tha se arsyet që kanë shtyrë të kryejë punë fizike kanë qenë familjet e varfra dhe punëtorët e Qendrës për Punë Sociale.

“Nuk e kam për detyrim të kryejë punë fizike, mirëpo e kam obligim moral që familjeve të varfra t’ju qëndroj afër”, shprehet ai.

“ Po ashtu nuk kam dashur që punëtorët e QPS-së t’i nxjerri në punë në kohë të pandemisë”.

Drejtori Kabashi, i cili në qeverinë e Mytaher Haskukës në Prizren, përfaqëson LDK-në, përveç punës fizike në teren, nuk i ka lënë anash dhe ato administrative të zyrës.

Ai tregon se, gjatë kësaj kohe ka përmbyllur të gjitha fazat tenderuese të projekteve.

“Drejtoria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është e para që ka përmbyllë fazat tenderuese të projekteve më të rëndësishme të Komunës së Prizrenit”, shprehet Kabashi.

Sipas tij, në projektet e ardhshme parashihet ndërtim, meremetimi i shtëpive si dhe ndërtimi i banesave për familjet e varfra”.

Puna fizike e drejtorit Kabashit, i ka habitur për të mirë qytetarët e kësaj komune.

Ata e kanë falënderuar edhe publikisht në rrjetet sociale. Sipas tyre, secili drejtor duhet ta marrë shembull Kabashin.

Zyrtari i Qendrës për Punë Sociale në Prizren, Bashkim Rakaj, tha se nuk ka parë e hasur drejtor më të sinqertë se Kabashi.

“Unë kam njohur shumë drejtorë, mirëpo më punëtor dhe më të sinqertë nuk kam parë si Fejzë Kabashi”, shprehet Rakaj, për “PrizrenPress” .

Sipas tij, Kabashi është i vetmi drejtor që i respekton dhe mbështet punëtorët.

“Ai nuk din t’i nënçmon punëtorët”, tregon Rakaj./PrizrenPress.com/

Të ngjashme