Shënohen viktimat e para nga vërshimet në jug të Italisë

Prishtinë | 27 Tet 2021 | 10:52 | Nga Ekonomia Online

Së paku dy persona raportohet të kenë vdekur nga vërshimet e ashpra në Sicili, në jug të Italisë, pasi një stuhi e fuqishme ciklonike i shndërroi rrugët në lumenj e i detyroi dyqanet që të mbylleshin në një qytet të rëndësishëm.

Në pamjet e publikuara në internet shihet uji që rrjedh rrugëve në Katania, qytet në pjesën lindore të ishullit italian, që është goditur rëndë nga vërshimet, shkruan Independent.

Veturat u panë të mbuluara pjesërisht nga uji dhe rrënojat u shpërndanë rrugëve pas reshjeve të dendura të shiut.

Sipas kryetarit të qytetit, Katania e ka përjetuar sasinë mesatare vjetore të reshjeve për vetëm 48 orë.

Një zëdhënës i grupit të vullnetarëve “Misericordie” tha se trupi i një burri është gjetur nën një veturë në qytezën Gravina, në veri të Katanias, në kohën e vërshimeve. Mediet lokale raportuan se trupi ishte i një burri 53-vjeçar.

Të hënën, një burrë 67-vjeçar vdiq, pasi vetura e tij u godit nga uji dhe balta. Ekipet e shpëtimit thanë se po e kërkojnë bashkëshorten e tij, e cila është zhdukur.

Reshjet kanë përmbytur disa nga rrugët dhe sheshet më të famshme të Katanias, duke shkaktuar ndërprerje të rrymës në qendër të qytetit dhe duke i vërshuar dyqanet.

Të ngjashme