Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, bashkë me kryetarin e Skenderajt, Fadil Nura, kanë bërë homazhe te varret e heronjve Azem e Shotë Galica, në Galicë të Vushtrrisë, me rastin e 100-vjetorit të rezistencës në Arbërinë e Vogël, raporton Ekonomia Online.
Idrizi ka thënë se beteja që ishte zhvilluar për pavarësimin e Arbërisë së Vogël, siç quhej zona që përfshinte Galicën dhe dy fshatra të tjera, ishte thelbi i një Shqipërie etnike.
Ai ka shtuar se gjithë shqiptaria ndihet krenar për këto figura të mëdha kombëtare që kanë kontribuar në lirinë që sot Kosova e gëzon.
“Sot jemi për të bërë homazhe te kryetrimi Azem Galica, në rastin e 100-vjetorit të betejës; jemi në këtë zonë ne Arbërinë e Vogël, ku është zhvilluar beteja. Çfarë e bënë të veçantë janë këto tri fshatra: Galica, Luboveci dhe Mikushnica”.
“Jo vetëm unë, por të gjithë shqiptarët ndihen krenarë, sepse Arbëria e Vogël është thelbi i një Shqipërie etnike. Këto figura kombëtare, Shota dhe Azem Galica, duhet të përkujtuar sepse kanë qenë të lirisë që ne sot e gëzojmë në Republikën e Kosovës”, tha Idrizi.
Më pas, Idrizi dhe Nura vizituan edhe lapidarin e heroit Xheladin dhe Lah Luboveci si dhe Kullën e Halit Bajramit, e cila ishte rrezuar tri herë por ishte rindërtuar sërish në kohën e rezistencës në Arbërinë e Vogël.
Për të shënuar 100-vjetorin e rezistencës në Arbërinë e Vogël, për tri ditë me radhë do të ketë aktivitete të ndryshme, të organizuara nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Arbëria e Vogël (1923-1924) ka qenë një zonë e lirë në zonën e Drenicës, që ka qenë jashtë kontrollit të qeverisë serbe. Arbëria e Vogël u krijua në korrik të vitit 1923 nga kryengritësit shqiptarë nën drejtimin e Azem Galicës dhe ishte pranuar nga autoritetet serbe përmes marrëveshjes.