Nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për nder të 142 vjetorit të Lidhjes, Shqiptare të Prizrenit, sonte në Prizren është hapur ekspozita “Personalitet e Lidhjes shqiptare të Prizrenit”.
Në këtë ngjarje të udhëhequr nga Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, morën pjesë edhe Kryeparalmentarja Vjosa Osmani, Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni si dhe personalitete tjera nga skena politike.
Me këtë rast ministrja Dumoshi, në rolin e nikoqires së organizimit, tha se përmes kësaj ekspozite po sillen në vëmendje të gjitha tubimet më të rëndësishme kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
“Sot jemi së bashku për të sjellë në vëmendje të gjitha tubimet më të rëndësishme kombëtare shqiptare të Lidhjes së Prizrenit. Për të ruajtur tërësinë territoriale atdhetarët tanë 142 vjet më parë arritën të formojnë organizatën politike dhe ushtarake Lidhja Shqiptare e Prizrenit, që disa vite u zhvilluan aktivitete të ndryshme”.
Tutje ministrja tha “Sonte me kujdes te shtuar për shkak te përballjes me pandeminë dhe te angazhimeve tona të përbashkëta për t’ju kthyer dhe punës në institucione, se bashku për prezantimin e ekspozitës tematike “Personalitetet e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit” e autorit Prof. Dr. Parim Kosova. Ekspozitë kjo e punuar me përkushtim e profesionalizëm që përmban fotografitë, portretet e ideologëve, udhëheqësve, klerikëve, dëshmorëve luftëtarëve dhe veprimtarëve të shumtë të Lidhjes së Prizrenit”.
“Ky aktivitet, nderon veprën dhe kontributin e të gjithë ideologëve, veprimtareve dhe dëshmoreve qe e krijuan Lidhjen për te cilën ne jemi krenar. Lidhje kjo, qe presidenti i ndjerë Dr. Ibrahim Rugova e quante Lëvizja me e kompletuar për shtetin shqiptar pas rezistencës se shkëlqyeshme te Gjergj Kastriotit” shtoi ministrja.
Autori i ekspozitës Parim Kosova, dha detaje për ekspozitën, i cili tha se qysh nga viti 1996 kishte filluar të merret me këto fotografi.
“Kemi arritur të grumbullojmë fotografi të personaliteteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Duhet të theksoi një fakt, fati ka qenë i tillë shekulli 19 që studio fotografish vetëm një ka qenë në hapësirën shqiptare, ajo e Marubit dhe të tjerët janë fotografuar ose në Selanik ose në Stamboll ose në Itali ose në Austri. Pata fatin pas luftës të jem i pari studiues nga Kosova të hulumtoj në arkivin e fototekës Marubi, kam hulumtuar në fototekën në Stamboll, të muzeut kombëtar, muzeut të Tiranës, si dhe te familjarët”, tha ai.