Shënohet 146-vjetori i traktatit që la shqiptarët nën “kthetrat” e Perandorisë Osmane

Prishtinë | 03 Mar 2024 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Më 3 mars 1878 u nënshkrua në Shën-Stefan, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe asaj Osmane, një muaj pas armëpushimit të Edrenesë.

Traktati i Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik.

Me shpresë se do të shmangte kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia nuk mori për vete asgjë nga këto territore.

Traktati i Shën-Stefanit nuk e përmend Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të Shën-Stefanit, gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, krahinat shqiptare të Korçës, Bilishtit, Pogradecit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Shkupit, Kaçanikut etj.

Serbia, e cila do të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të aneksonte edhe viset veriore e verilindore të Kosovës, deri në afërsi të Mitrovicës.

Mali i Zi, sipërfaqja e të cilit do të rritej më tepër se tri herë, do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit, të Krajës, Anamalit, Hotit, Grudës, Tuzit, Kelmendit, Plavës, Gucisë dhe Rugovës.

Pjesa tjetër e Shqipërisë do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar.

Zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej tyre dhe shpërngulja me dhunë nga këto krahina e dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan si muhaxhirë në krahinat e pa pushtuara nga ushtritë ballkanike.

Vetëm në vilajetin e Kosovës endeshin rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë, sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre mërguan në vilajetet e Selanikut, Stambollit, Izmirit, Adanasë e Sirisë.

Gjendja e re që u krijua nga vendimet e Shën-Stefanit dhe nga ngjarjet që rrodhën më pas, në mars-prill 1878, kur u duk qartë se Fuqitë e Mëdha perëndimore ishin të vendosura të mbronin me çdo kusht sundimin e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe si rrjedhim nuk ishin të prira të merrnin parasysh të drejtat kombëtare të shqiptarëve, Komiteti Qendror i Stambollit arriti në përfundimin se si kryengritja e armatosur kundërosmane, ashtu edhe kërkesa për pavarësinë e Shqipërisë nuk mund të qëndronin më si pika kryesore të programit të tij politik. Tani që copëtimi i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë dhe doli në plan të parë detyra e mbrojtjes së tërësisë tokësore të Shqipërisë, kryengritja e armatosur kundër Perandorisë Osmane jo vetëm që nuk e zgjidhte çështjen shqiptare, por e ndërlikonte edhe më keq atë e fatin e atdheut./alsatm

Të ngjashme