Me rastin e 35-vjetorit të okupimit të dhunshëm të Radiotelevizionit të Prishtinës (RTP) nga forcat serbe më 5 korrik 1990, është mbajtur një konferencë për media përpara Pallatit të RTP-së, ku u përkujtuan ngjarjet që çuan në mbylljen e dhunshme të këtij institucioni historik të informimit, raporton Ekonomia Online.
Në këtë ngjarje, kryetari i Bordit të RTP-së, Qemajl Sokoli, ka mbajtur një fjalim ku ka theksuar rëndësinë e RTP-së për shoqërinë kosovare dhe e ka quajtur 5 korrikun një “ditë të zezë” në historinë e radiotelevizionit të vendit.
“Popull i nderuar, sot në përvjetorin e 35-të të okupimit barbarë serbosllavo-shqiptaro-udbasho-shikist të tij, para Pallatit të Radiotelevizionit të Prishtinës, në mënyrë simbolike, pikërisht më 5 korrik në orën 15:15 minuta, po e shënojmë këtë – Ditë të zezë të historisë sonë radiotelevizive,” tha Sokoli.
Ai kritikoi institucionet e Kosovës për, siç tha, injorimin e vazhdueshëm ndaj çështjes së RTP-së, duke përmendur edhe qëndrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
“Popull, edhe pse për problemet e RTP-së u jemi drejtuar qeverive tona dhe AKP-së skllavopronare, por po na injorojnë – idiotikisht,” theksoi ai.
Sokoli përmendi historikun e radiodifuzionit në Kosovë, duke filluar nga funksionimi i radiostacioneve lokale gjatë Luftës së Dytë Botërore, deri tek themelimi i RTP-së në vitin 1973.
“Përkundër kësaj, askush nuk mund ta kontestojë ekzistimin, veprimin dhe kontributin e madh kombëtar, informues, arsimues, edukues e propagandues të RTP-së. Rrënjët e të cilit datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore, me funksionimin e radiostacioneve lokale: ‘Radio Prizreni’ dhe ‘Radio Kosova’, në Prishtinë,” tha ai.
Ai rikujtoi gjithashtu momentin kur, më 26 nëntor të vitit 1975, programi televiziv i RTP-së filloi të emetohej nga studioja në Prishtinë, si dhe rolin që ky institucion kishte për shoqërinë kosovare deri në mbylljen e dhunshme në vitin 1990.
“Që nga atëherë, e deri në mbylljen e dhunshme nga forcat militare serbosllave, më 5 korrik, në orën 15:15 të vitit 1990, RTP-ja ishte shtëpia radiotelevizive e qytetarëve të Kosovës. Kurse, me programet cilësore e përmbajtësore: informative, politike, dokumentare,” përfundoi Sokoli.
