Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Poezisë, studentët e Degës së Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filologjisë në bashkëpunim me mësimdhënësit e tyre, organizojnë aktivitetin kulturor ‘Mesdita poetike’.
Ky aktivitet do t’i kushtohet poetit, studiuesit dhe profesorit Basri Çapriqi, i cili vdiq në muajin janar.
Me këtë rast, duke e nderuar jetën dhe veprën e poetit, do të lexohen pjesë nga krijimtaria e tij letrare, si dhe poezi përkushtimi për të. Gjithashtu, studentët do t’i lexojnë krijimet e tyre.
Aktiviteti do të mbahet në amfiteatrin e vogël të Fakultetit të Filologjisë, në ora 12.
Dita botërore e poezisë shënohet më 21 mars që nga viti 1999, vendosur kjo nga UNESCO.