Aleanca Kosovare e Bizneseve dhe “Agrokosova Holding”, kanë organizuar të mërkurën “Ditën e Qershisë”, aktivitet tradicional që mbahet për herë të pestë radhazi, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tha se Kosova është një vend i mirë për prodhim, ndërsa qëllimi kryesor është eksporti i produkteve vendore.
“Këto qershia e kanë kualitetin më të mirë në Ballkan, por edhe në Evropë”, tha Muharremaj.
Ndërkohë kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, tha se Qeveria duhet të punojë më shumë për të eksportuar produktet vendore.
“Dita e Qershisë 2024 shënohet për herë të pestë. Qershia tashmë është një produkt shumë i kërkuar për të gjithë qytetarët e vendit dhe ne sot kemi zgjedh një datë të caktuar 12 qershorin për t’i falënderuar të gjithë çlirimtarët që sot kanë valuar para 20 vjetëve dhe ne kurrë nuk kemi menduar se do të festojmë kështu dhe sot shkojnë falënderimet për çlirimtarët, ndërkombëtarët që e kanë ndihmuar çlirimin e Kosovës”, tha Shahini.
“Qeveria duhet të kthejë më shumë vëmendjen në partneritet me prodhuesit vendorë të subvencionin edhe më shumë ku ne do të mund të rritim më shumë prodhimin e vendit edhe eksportin”, shtoi ai.
E, pronari i “AgroKosova Holding”, Haziz Tafaj, tha se është i rëndësishëm fillimi i kultivimit të qershisë sepse është një kulturë e kultivimit të jashtëzakonshëm për faktin se ka një zhvillim të mirë ekonomik.
“Përveç që kemi rrit plantacionin e qershive, tanimë kemi rrit edhe plantacionin model të kultivimit të qershisë në hapësirën ku po flasim dhe iniciativa jonë si AKB dhe ‘AgroKosova Holding’, në këtë mënyrë është treguar me rezultat dhe me një perspektivë shumë të madhe”, tha Tafaj.