Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kanë shënuar 5 qershorin – Ditën Botërore të Sportit dhe Mjedisit, me ç’rast janë mbjellur drunj në oborrin e kësaj ministrie, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e MKRS-së, Vlora Dumoshi, tha se nuk mund të ketë sportistë të shëndetshëm nëse mjedisi nuk është i pasur.
“Sot është dita e parë ku unë jam si ministre në Qeverinë Hoti dhe ne bashkërisht do të punojmë shumë sidomos për sportin sepse nuk do të kemi sport të shëndetshëm nëse nuk do të kemi një mjedis të pastër”.
“Ky mesazh është i mirë se çdo qytetar të mbjellë më shumë pemë dhe ta fisnikërojmë natyrën tonë. U ftoj të gjithë qytetarët qe secili prej tyre nëpër komunat që ta japin mesazhin më të mirë për ruajtjen e ambientit ehe për ta bërë një Kosovës sa më të pastër”.
Dumoshi ka thënë se do të diskutohet edhe për Pakon Emergjente që do t’i dal në ndihmë sportistëve. Ajo tha se do të diskutohet edhe në mbledhjen e Qeverisë për këtë çështje.
Kryetar i KOK-ut Besim Hasani ka thënë se me këtë mesazh është mirë që çdo i ri të përkujdeset për mjedisin dhe ambientin, raporton EO.
“Sot dita Botërore e Sportit dhe Mjedisit dhe nga kjo mbjellje ne duam të dërgojmë mesazhin që të mbillet në kokën e secilit të ri që të mbillet ajo fara për përkujdesjen e mjedisit dhe të ambientit”.
Rektori Marian Dema iu ka bërë thirrje të gjithë studentëve që të mbjellin nga një dru në oborrin e universitetit.