Zëvendësministri i Shëndetësisë, Granit Abdullahu, ka thënë se çështja e të moshuarve do të fillojë të merret parasysh pasi, sipas tij, vitet e kaluara askush nuk është marrë seriozisht me të.
“Jemi krenarë që kemi moshën mesatare më të re në Ballkan, mbase edhe në Evropë vetëm 30 vjet, mirëpo askush nuk ka folur për ardhmërinë e këtyre 30-vjeçarëve dhe ata 30-vjeçarë do të jenë 60-vjeçarë. Kjo duhet të shërbejë për të mundësuar dhe përhapur kontributin e të moshuarve në familje, komunitete dhe në të gjithë shoqërinë”.
“Popullsia në botë 60 vjet e lart është duke u rritur me shpejtësi. Në vitin 2050, rreth 80% e të moshuarve do të jetojnë në vende më pak të zhvilluara. Moshimi i popullsisë po ndodh paralelisht me urbanizmin. Nga viti 2007 më shumë se gjysma e popullsisë jetojnë në qytete. Në vitin 2030 kjo shifër parashihet të rritet deri në 60%”.
“Asnjëherë nuk është vonë për të kundërshtuar sjelljet e rrezikshme, për të promovuar shëndetin. P.sh. ulja e pirjes së duhanit”.
Sabrie Nimani, përfaqësuese e grave të moshuara nga organizata “Vita jetë”, tha se është paraqitur kërkesa shumë herë që të rimbursohen pensionet që nga koha e luftës, por sipas saj nuk kanë marrë përgjigje asnjëherë, raporton Ekonomia Online.
“Shumë herë është shtruar kërkesa e sindikatave që në bisedimet me Serbinë të kthehen mjetet financiare të pensionistëve të Kosovës. Por pala shtetërore nuk e shtroi asnjëherë këtë në çështjen e dialogut”.
Kurse ka thënë se shpenzimet e pensionistëve janë vazhdimisht kurse pensionet janë të ulëta, madje edhe për vetë barnat e tyre.
Në emër të pensionistëve të Kosovës, sekretari i pensionistëve, Hasan Berisha tha se gjeneratat e vjetra mendojnë se dinjiteti i pensionistëve është lënë pas dore, raporton EO.
“Gjeneratat e vjetra, posaçërisht pensionistët kontributpagues, mendojnë se dinjiteti i pensionistëve është lënë pas dore. E fatkeqësisht edhe tash e tutje. Në 2016-ën është bërë një korrigjim i vogël, por problemet janë hala prezente. Janë 123 mijë pensione bazë që marrin, do të thotë pensione bazë që marrin, do të thotë mbi 65-vjeçarë që janë. Ndërsa kontributpagues janë 44 mijë e që gjithsej kanë 171 mijë. 171 mijë me e konvertu në 1 milion e 800 mijë del se 94 për qind janë të moshuar që realizojnë një pension simbolik”, u shpreh ai.
Drejtori ekzekutiv i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, ka promovuar vaksinimin sezonal kundër gripit, ndërsa ftoi të moshuarit pjesëmarrës që të shfrytëzojnë rastin të vaksinohen.