Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), Ministria e Punëve të Brendshme me mbështetje nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) kanë shënuar Ditën Evropiane të numrit 112 me qëllim të sensibilizimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve, raporton Ekonomia Online.
Ky manifestim është realizuar në tri Komuna: Prishtinë, Gjilan dhe Zveçan, ku kanë marrë pjesë e: Policia e Kosovës, Njësitë Profesionale Zjarrfikëse dhe Shpëtimit, Shërbimi Urgjent dhe Kryqi i Kuq.
Të gjitha shërbimet emergjente kanë organizuar nga një pikë prezantuese, senzibilizuese me njësi dhe pajisje vetanake duke përfshirë edhe materialin sensibilizues.
Disa nxënës nga Shkolla Fillore “Afrim Gashi” nga Hajvalia, kanë performuar në sheshin “Skënderbe”.
Mahir Hasani, koordinator i Qendrës Operative Emergjente-112, tha se ky numër është numër evropian dhe funksionon edhe në Kosovë që nga viti 2002.
“Ky numër funksionon 24 orë pandërprerë dhe i shërben qytetarëve të Republikës se Kosovës për ofrimin e ndihmës në rastet e emergjencave të ndryshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, tha Hasani.
Me këtë rast ai falënderoi misionin e UNDP-së për mbështetjen e vazhdueshme për projekte me rëndësi për qytetarët.
Kjo datë është caktuar të shënohet me 11 shkurt që nga viti 2009 me qëllim të ngritjes së vetëdijesim për numrin emergjent evropian 112.