Shënohet Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Greke

Prishtinë | 09 Shk 2026 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Në ambientet e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, të hënën është shënuar Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Greke me aktivitetin “Përjetësia historike e gjuhës greke dhe ndikimi i saj në punën e studiuesve shqiptarë të shekujve 19 dhe 20”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë ngjarje u theksua rëndësia historike dhe akademike e gjuhës greke, si dhe roli i saj në zhvillimin e studimeve shkencore dhe në forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërmjet Kosovës dhe Greqisë. Ambasadorja greke në Kosovë, Eleni Vakali, tha se themelimi i Ditës Botërore të Gjuhës Greke dëshmon kontributin e qëndrueshëm të trashëgimisë gjuhësore greke në kulturën botërore, në shkencë, filozofi dhe mendim politik. Ajo theksoi se greqishtja është ndër gjuhët e rralla me përdorim të pandërprerë të shkruar dhe të folur për më shumë se tre mijë vjet, duke përfshirë periudhën nga poezia epike dhe filozofia klasike deri te letërsia bizantine dhe shkrimet moderne.

“Themelimi i Ditës Botërore të Gjuhës Greke konfirmon kontributin e qëndrueshëm të trashëgimisë gjuhësore greke në kulturën globale, shkencë, filozofi dhe mendim. Greqishtja është një nga pak gjuhët në botë me përdorim të pandërprerë të shkruar dhe të folur për më shumë se tre mijëvjeçarë, nga poezia epike e lashtë dhe filozofia klasike deri te letërsia bizantine dhe shkrimet moderne greke. Gjuha ka evoluar duke ruajtur një unitet të jashtëzakonshëm, duke përdorur gjithmonë të njëjtin alfabet, edhe pse ka ndryshuar gjatë shekujve, duke lënë gjurmë në filozofi dhe mendimin politik, në mjekësi dhe shkencat shëndetësore, në gjeometri dhe matematikë, në fizikë dhe astronomi”, tha ajo. Sipas saj, gjuha ka evoluar duke ruajtur një unitet të jashtëzakonshëm dhe të njëjtin alfabet ndër shekuj, ndërsa ka lënë gjurmë të thella në fusha si filozofia, mendimi politik, mjekësia, matematika, fizika dhe astronomia. “Ne të gjithë ndihemi të nderuar gjatë viteve tona në detyrë në përfaqësimin helen, falë përkushtimit, miqësisë dhe profesionalizmit të profesorëve të Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, të rinj të mrekullueshëm vazhdojnë të mësojnë greqisht në Qendrën e Gjuhëve të Huaja”, tha ajo.

Vakali shtoi se përfaqësia helene në Kosovë ndjehet e nderuar nga bashkëpunimi me profesorët e Fakultetit të Filologjisë, ku ajo shprehu bindjen se Fakulteti i Filologjisë dhe Universiteti i Prishtinës janë shndërruar në hapësira të rëndësishme për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për thellimin e njohjes reciproke të kulturave. “Besoj fort se Fakulteti i Filologjisë dhe Universiteti i Prishtinës janë bërë një vend shumë i rëndësishëm ku ne forcojmë marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën, duke thelluar njohuritë dhe mirëkuptimin për traditat dhe kulturat e njëri-tjetrit. Shpresoj që studentët e gjuhës greke të zbulojnë kuptim dhe bukuri në mësimin e greqishtes. Ju falënderoj të gjithëve që festuat sot me ne Ditën Botërore të Gjuhës Greke”, tha ai.

Dekan i Fakultetit të Filologjisë, Abdulla Rexhepi, theksoi se lidhja e traditës shqiptare me kulturën dhe gjuhën greke nuk është vetëm historike, por edhe intelektuale, duke përmendur si shembull faktin që poeti kombëtar Naim Frashëri ka shkruar poezi në gjuhën greke. “Gjuha greke për ne është njëra nga ato gjuhë të vjetra që nuk jeton vetëm në muze, në dorëshkrime apo mbishkrime të lashta, por ajo akoma sot jeton në mënyrën se si ne mendojmë, si argumentojmë, si shkruajmë dhe si i ndërtojmë konceptet tona akademike dhe shkencore. Ndërsa në traditën shqiptare lidhja me kulturën dhe gjuhën greke nuk është vetëm historike; ajo gjithashtu është edhe intelektuale. Ne kemi patur poetin tonë kombëtar Naim Frashërin, i cili ka arritur të krijojë poezi në gjuhën greke”, tha ai.

Rexhepi shtoi se në Fakultetin e Filologjisë prania e mendimit grek është e pandashme nga jeta akademike, pasi filozofët e lashtë ndikojnë pothuajse në çdo fushë studimi dhe në shumë lëndë kurrikulare. “Po ashtu, këtu në Fakultetin e Filologjisë, prania e mendimit grek është pothuajse e pashmangshme nga vetë jeta akademike. Filozofët e lashtë grekë janë të pranishëm gati në secilën fushë të studimit dhe në shumë lëndë kurrikulare, sepse pa konceptet e tyre për logjikën, etikën, politikën, estetikën, gjuhën dhe retorikën, sot do ta kishim të vështirë të imagjinonim një jo vetëm këtë fakultet, por edhe vetë format moderne të studimit universitar. Kur ne flasim për koncepte si argument, metodë, kritikë, kategori, dialektikë, etikë, poetikë, ne në një mënyrë ose në një tjetër jemi në dialog me traditën helene të mendimit dhe të filozofisë”, tha ai.

Të ngjashme