Shënohet Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës, kërkohet të respektohen standardet për lëvizje të lirë të tyre

Prishtinë | 01 Mar 2024 | 14:30 | Nga Flutura Sogonjeva Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata “Handikos”, së bashku me Komunën e Prishtinës kanë shënuar 1 Marsin – Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, me një shëtitje 30 minutëshe në njërën nga rrugët e Kryeqytetit, raporton Ekonomia Online.

Nga “Handikos” përmendën sfidat që përballen personat me karrocë, ndërsa nga autoritetet komunale premtuan më shumë angazhim në krijimin e kushteve për lëvizje me të lehtë të tyre.

Drejtori i “Handikosit” Afrim Maliqi, ka kërkuar që çdo ndërtues të respektojë standardet për qasja të lirë edhe të kësaj kategorie.

“Jemi mbledhur për t’i parë sfidat dhe për të parë se ku janë ndërtuar pjerrinat mirë e ku ka pengesa që kërkojnë intervenim, qytetarët po lëvizin nëpër Evropë lirshëm e ne përdoruesit e karrocave ende nuk jemi të lirë në lëvizje”, është shprehur ai,

Ai ka thënë se janë rreth 4 mijë qytetarë që lëvizin me karroca, siç ka theksuar pa llogaritur këtu nënat me fëmijë me karroca e të moshuarit.

“Ne kemi ngritur padi ndaj institucioneve te ndryshme, respektivisht ndaj Kuvendit të Kosovës, sepse ai objekt nuk i plotëson standardet për lëvizje të lirë”, ka theksuar Maliqi.

Ndërkohë që nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu, ka thënë se secili duhet ta përjetojë se sa e vështirë është lëvizja për persona të kësaj kategorie.

“Qenka një ndjenjë jo shumë e lehtë me qenë në karrocë dhe e shoh sa e vështirë është lëvizja me karrocë. Ne duhet ta përjetojmë këtë ndjenjë që kur të marrim vendime të mendojmë edhe këndvështrimin e personave në karrocë”, është shprehur ajo, duke thënë se ndodhet aty për të ofruar përkrahje.

Derisa ka thënë se e dinë që në Prishtinë këta persona hasin në vështirësi për të lëvizur, ka theksuar se kanë vullnet politikë për të ju qëndruar pranë.

“Ndjenjë e keqe, mezi s’po pres të kthehem në zyre me i pa kontratat e sidomos te kjo pjesa e semaforit te rrugës që sapo kaluam”, tha ajo.

E Bedri Kadriu, përdorues i karrocës, në një prononcim për Ekonomia Online, tregoi disa vështirësi me të cilat përballet çdo ditë.

“Me thënë të drejtën kushtet nuk janë edhe të mira sepse e pat edhe ju vet me lëvizjen që i bëmë nuk janë edhe aq të lehta por do donim të paktën me u rregulli lëvizja e lirë, një pjesë kur del e pi kafe vet, pa e pas personin mbrapa por këtu me këtë gjendje që është Prishtina është shumë e rëndë sepse gjithmonë duhet me pas dikë pas vete, me të ndihmua në trotuar, në shkallë, në hyrje të lokalit, nuk e di rrallë që mund të hysh diku vet, pa qenë më prag është e pamundshme, duhet gjithmonë me pas përcjellësin. Po shpresojmë bre që ndoshta një ditë po vetëdijesohen dhe kanë me i rregulluar pjesët e që nuk besoj se është aq e shtirë, por nuk e di”, deklaroi ai.

Të ngjashme