Shënohet Dita Ndërkombëtare e Sporteve Universitare

Prishtinë | 20 Sht 2017 | 15:49 | Nga

Federata e Sporteve Universitare e Kosovës (FSUnK) ka shënuar për herë të parë 20 shtatorin, Ditën Ndërkombëtare të Sporteve Universitare, me mbështetje të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Në një ceremoni të organizuar në Palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, morën pjesë drejtuesit Komitetit Olimpik të Kosovës, të qeverisë, Ministrisë për Kulturë, Rini e Sport, presidenti i Federatës Së Sporteve Universitare të Shqipërisë (FSUSH) Besnik Veliu, profesorë dhe sportistë.

Presidenti i FSUnK-së, Musa Selimi foli për formimin e kësaj federate në mars të këtij viti, pranimin në Federatën Ndërkombëtare të Sporteve Universitare (FISU) të bërë më 17 gusht 2017.

Ai kërkoi mbështetje nga qeveria dhe tha se ideja e themelimit të kësaj federate dhe shënimit të kësaj dite është që rinia studentore të vetëdijësohet dhe të merret edhe me sport.

Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti edhe presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, i cili 2017-tën e quajti vit të rëndësishëm për sportin universitar, pasi brenda këtij viti u themelua FSUnK-ja, e cila po ashtu u anëtarësua në FISU. Sipas tij, formimi i kësaj federate ishte pjesë e planit strategjik dhe misionit të KOK-ut, pasi KOK ishte nismëtar për themelimin e kësaj federate.

Presidenti i FSUSh-së, z.Besnik Veliu theksoi se bashkarisht me z.Selimi janë  pajtuar të formojnë Ligën Studentore Universitare Shqipëri – Kosovë. Për dobishmërinë e formimit të kësaj federate, foli edhe kampioni i karatesë në Kampionatin Evropian të Universiteteve, Alvin Karaqi, si dhe zëdhënësi i qeverisë, Arbër Vllahiu dhe prorektorja e Universitetit të Prishtinës, Teuta Pustina.

Të pranishmit u argëtuan edhe me performimin e studentëve në sportin e karatesë, gjimnastikës dhe vallëzim klasik, derisa në fund organizatorët shtruan një koktej rasti.

Të ngjashme