Komiteti Olimpik i Kosovës ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe ku ka bërë edhe promovimin e sporteve të reja të Federatës së Pentatllonit Modern të Kosovës dhe frizbi me nxënësit e lindur në vitin 2008 “Fëmijët e Pavarësisë”, si dhe nxënësit e shkollës fillore ”Ismail Qemali” kanë përgatitur një ekspozitë ku kanë shprehur talentin e tyre për sport nëpërmjet punimeve.
Shqipe Zogiani anëtarë e komitetit olimpik të Kosovës dhe njëkohësisht kryetare e komisionit të sportit për paqe dhe zhvillim, për Ekonomia Online ka thënë, se kjo ditë e cila po festohet sot edhe në vendin tonë ka për synim të bëjë ndryshime shoqërore dhe zhvillimin e komitetit për paqe dhe mirëkuptim.
“ Kjo ditë është shpallur nga Asambleja e OKB-së në vitin 2013 si një ndër lidhjet e lojërave të para moderne olimpike e vitit 1896, d.m.th Komiteti Olimpik Ndërkombëtarë e ka prit këtë ndryshim për nevoja sociale dhe përmes kësaj dite tregohet se në botë ka paqe dhe mirëkuptim. Shkolla ‘Ismail Qemali’ bashkë me disa paralele ka bërë një ekspozitë me disa punime për të shprehur talentin e tyre dhe përkrahjen që kanë ndaj sportit”, ka thënë Zogiani.
Ajo gjithashtu ka treguar që gjatë kësaj dite do të ketë mundësi edhe që fëmijët të garojnë në sportin e pistoletave laserike me ç’rast edhe do të shpërblehen tri vendet e para.
Entuziazmin për këtë ditë e treguan edhe vetë nxënësit e shkollës “Ismail Qemali”.
Nxënësja e kësaj shkolle Era Hoxha edhe pse nuk ishte garuese ka përkrahur këtë ditë duke thënë se sporti është i rëndësishëm.
“Ideja e Komitetit Olimpik është shumë e mirë. Unë jam shikuese dhe nuk do të jem pjesë e garës, por këtu gjithçka është mirë dhe po kalojmë shumë mirë”, ka thënë ajo.
Ndryshe ky është viti tretë që Komiteti Olimpik i Kosovës i cili ka marrë iniciativën për të përkrahur dhe për të festuar këtë ditë.