Sipas një studimi të ri, gati tetë milionë njerëz kanë vdekur në vitin 2019 nga pirja e duhanit, ndërsa numri i duhanpirësve në botë është rritur pasi kjo shprehi u përqafua nga të rinjtë.
Në studimin e publikuar në revistën e njohur shkencore, Lancet, thuhet se përpjekjet për ta luftuar duhanpirjen janë lënë pas nga rritja e popullsisë. Nga vitit 1990 deri më 1999, numri i duhanpirësve është rritur për 150 milionë njerëz, duke shkuar në nivel rekord prej 1.1 miliard duhanpirësve.
Autorët e hulumtimit thanë se qeveritë duhet të përqendrohen në pakësimin e duhanpirjes nga të rinjtë, sepse 89 për qind e duhanpirësve të rinj u bënë të varur rreth moshës 25-vjeçare, ndërsa pas asaj moshe kishin më pak gjasa që të bëhen duhanpirës, shkruan The Guardian.
“Të rinjtë janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj varësisë dhe me shkallën e lartë të ndërprerjes së duhanpirjes që mbetet vështirë e arritshme në mbarë botën, epidemia e duhanit do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, nëse shtetet nuk mund ta zvogëlojnë në masë dramatike numrin e duhanpirësve të rinj që shënohen për çdo vit”, tha autorja udhëheqëse e studimit, Marissa Reitsma, hulumtuese në Institutin për Matje dhe Vlerësime Shëndetësore.
Vetëm dhjetë shtete të botës e kanë dy të tretën e duhanpirësve: Kina, India, Indonezia, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Japonia, Turqia, Filipinet, Bangladeshi dhe Vietnami. Një e treta (341 milionë njerëz) e të gjithë duhanpirësve të botës jeton në Kinë.