Një artikull i publikuar së fundmi në revistën ‘British Journal of Sports Medicine’ nga tre ekspertë shëndetësorë qartazi e ka treguar faktin se ushtrimet fizike nuk janë faktori kryesor për çka duhet të brengoseni kur përpiqeni të humbni peshë.
Shkenca prapë ka dëshmuar se ajo çfarë hamë ka më shumë ndikim në peshën dhe shëndetin tonë të përgjithshëm sesa ajo se sa shpesh bëjmë ushtrime fizike.
E vërteta është se mund të stërviteni secilën ditë të javës, por prapëseprapë nuk do të humbni peshë për shkak të ushqimit që e hani.
Edhe nëse nuk keni peshë të tepërt, kjo nuk do të thotë se jeni të shëndetshëm nëse nuk ushqeheni mirë.
Pra, përderisa ushtrimet fizike normalisht se ju ndihmojnë në rrugëtimin drejt humbjes së peshës, ato vetvetiu nuk bëjnë asgjë që ju të humbni peshë.
Megjithatë, vlen të ceket se ju zvogëlohet rreziku për të pasur sëmundje të zemrës, diabet ose forma të caktuara të kancerit.
Përgjatë tri dekadave të fundit, ushtrimet nuk kanë ndryshuar, por vazhdimisht po rritet numri i njerëzve mbipeshë. Kjo në mënyrë të drejtpërdrejt ndërlidhet nga numri i madh i ushqimeve të cilat janë të përpunuara dhe të mbushura me sheqer, por gjithashtu edhe nga pijet e ëmbla dhe ato të gazuara që i konsumojmë.
Sipas ekspertëve, pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit dhe mungesa e ushtrimeve fizike tani shkaktojnë më pak sëmundje sesa shprehitë e pashëndetshme të të ushqyerit.
Problem tjetër serioz është se edhe personat që kanë peshë normale dhe stërviten janë të rrezikuar nga sëmundjet e ndryshme dhe vdekja e parakohshme nëse ushqehen keq. Ata do të kenë probleme metabolike, andaj edhe do të zhvillojnë probleme me sëmundje, mëlçi, hipertension, etj.
Ekspertët thonë se njerëzit duhet ta kuptojnë që kaloritë të cilat gjenden në sheqer sigurojnë që të rritet dhjami jonë në trup dhe të ndihemi të uritur më shpesh. Sasia e sheqerit që gjendet në pije të ëmbla mund t’jua rritë rrezikun e diabetit deri në 11%, pavarësisht asaj se sa shumë ushtrime fizike bëni.
Siç thonë ekspertët, pjesa më e rëndësishme e një rutine të humbjes së peshës duhet të jetë kufizimi i kalorive, në veçanti i karbohidrateve.
Njerëzit duhet të vetëdijesohen dhe ta zvogëlojnë sasinë e sheqerit që e konsumojnë nëse veç duan të jenë të shëndetshëm dhe të jenë më pak të rrezikuar nga sëmundjet e ndryshme.