Viti 2019 duhet të jetë viti i fundit ku nëpër komuna, Drejtoria për Mirëqenie Sociale është nën ombrellën e Drejtorisë së Shëndetësisë.
Problemet e shumta sociale me të cilat përballen komunat e Kosovës duhet të menaxhohen nga një drejtori e veçantë, ku përqendrimi i kësaj drejtorie do të jete 100% në këtë fushë, dhe do ta ketë buxhetin dhe stafin e saj profesional të ndarë.
Nga 38 komuna, vetëm 3 e kanë të ndarë drejtorinë, dhe këto 3 komuna me emërtime të ndryshme, një Drejtoria për Mirëqenie Sociale, një Drejtoria për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe një Drejtoria për Integrime Evropiane dhe Mirëqenie Sociale.
Realisht roli dhe detyra e kësaj drejtorie duhet të jetë, menaxhimi i Qendrës për Punë Sociale, menaxhimi i Institucioneve të ngritura në kuadër të Komunës, zhvillimi i strategjive dhe objektivave të komunës, bashkëpunimi me OJQ që veprojnë në kuadër të Komunës dhe Kosovës, banimi social për të pastrehët dhe Nënat vetushqyese, kujdesi për furnizime të ndryshme për familjet skamnore etj.
Përgjegjësit e mëdha dhe të shumë ndjeshme në një drejtori do të mund të konsiderohen problemet më të mëdha për shoqërinë Kosovare, prandaj themelimi i një drejtorie në kuadër të strukturës Komunale do të mundë të emërtohet si: “Drejtoria për Shërbime Sociale dhe Familje”.
Nevojat e mëdha dhe shërbimet e shumta mbesin pa u përmbushur si pasojë e disa faktorëve:
1. Mungesa e buxhetit për shërbime sociale – grandi specifik
2. Mungesa e stafit në numër, me theks të veçantë të stafit profesional
3. Mungesa e Institucioneve përcjellëse për ofrim të shërbimeve të drejtpërdrejta
4. Mungesa e kostimit të shërbimeve
5. Mungesa e më shumë OJQ-ve të licencuara për ofrim të shërbimeve sociale
6. Mungesë e legjislacionit që e rregullon qartë mandatin e drejtorive Komunale dhe QPS-ve
Kryetarët e komunave ende e konsiderojnë Qendrën për Punë Sociale si Institucion që bën vetëm shpërndarjen e ndihmave sociale, të ndonjë dhurate, apo pakoje dhe nuk kanë njohurit elementare për kategoritë sociale dhe shërbimet sociale që merret stafi i QPS-ve.
QPS-të merren me të gjitha rastet sociale profesionale, duke filluar nga fëmijët e braktisur, jetim, keqtrajtuar, viktimat e krimit, dhunën në familje, aftësinë e kufizuar, të moshuar etj, që kur të emërtohen si kategori kalojnë numrin 40.
Rëndësia e OJQ-ve, në komuna dhe nivel vendi është jashtëzakonisht e madhe, dhe mungesa e OJQ-ve të licencuara dhe profesionalizuara vërehet shumë.
Edhe pse janë në numër të vogël, mos ekzistenca e tyre do të kishte pasoja dhe do të sillte probleme shumë të mëdha. Meqenëse edhe pas 10 viteve të decentralizmit nuk ka pas asnjë lëvizje për një grand specifik për shërbime sociale, por vetëm premtime koti, është momenti i arritjes së një zgjidhje afatgjate dhe të qëndrueshme, qoftë përmes Ligjit për financat publike qoftë përmes një ligji të veçantë për QPS-të.
Rekomandim: Zgjidhja më e qëndrueshme do të ishte ndarja e përqindjes së caktuar nga të hyrat e grandit të përgjithshëm të Komunave nga Qeveria. Kjo përqindje do të duhet të ishte bazuar në numrin e përfituesve të shërbimeve sociale, numrin e banorëve dhe shërbimet e mbuluara në nivel regjional, prandaj shuma prej 6% nga grandi i përgjithshëm do të ishte një zgjidhje e qëndrueshme, dhe me një planifikim dhe shpenzim të mirëfilltë shumë probleme sociale do të mbuloheshin brenda një periudhe 3 deri 5 vjet, si dhe do të sigurohej qëndrueshmëria e tyre për të ardhmen.
Pasi që Kosova insiston të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, duhet të jetë në gjendje të përmbush disa nga standardet minimale, e që këto standarde sa i përket fushës së mbrojtjes së fëmijëve dhe grupeve të rrezikuara të shoqërisë është mjaft larg.
(Autori është drejtor i Qendrës për Punës Sociale në Prishtinë)