Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se së shpejti ky institucion do të fillojë implementimin e projektit trajtimin e personave me nevoja të veçanta.
Në njoftimin e ShKK-së thuhet se ky projekt ka marrë mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë, Ambasadës Amerikane, EULEX-it dhe Departamentit Shëndetësor të Burgjeve.
ShKK ka bërë të ditur se Institucioni Shëndetësor për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta, do të jetë i vendosur në Qendrën Korrektuese të Dubravës dhe do të mbulojë shërbimet shëndetësore të personave të privuar nga liria, veçanërisht grupeve të ndjeshme me nevoja të veçanta, pa rrezikuar sigurinë do të ofrohet kujdes shëndetësor adekuat profesional, ndërsa do të zvogëlojë në masë të madhe transferet jashtë institucioneve korrektuese për këto nevoja.
Shërbimi Korrektues po ashtu ka bërë të ditur që brenda këtij institucioni do të jenë 5 njësi: njësia për trajtimin e personave me nevoja te veçanta: ku do te trajtohen të gjitha ata persona që kanë pengesa arkitektonike dhe të tjera shqisore, personat me proteza, karroca invalidore, pengesa në të parë dhe të dëgjuar, ata me paterica mbështetëse dhe të gjithë ata që kanë nevojë për mbështetje për funksione vitale;
Njësia geriatrike: personat e moshuar që kanë nevojë për mbështetje dhe kujdes të vazhdueshëm;
Njësia për trajtim të shtuar mental: personat që kanë rrezik vetëvrasje dhe çrregullime akute, të përkohshme, mendore;
Njësia për trajtimin e personave me sëmundje të varësisë: trajtimi i varësive, trajtimi zëvendësues terapia okupuese dhe rehabilitimi;
Njësia për trajtimin e sëmundjeve kronike; trajtimi i personave me sëmundje kronike me kujdes permanent shëndetësor, të monitoruar.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës së bashku me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve dhe partnerët ndërkombëtarë, do të punojnë në vendosjen, sistemimin dhe akomodimin për trajtimin e kësaj kategorie në bazë të nevojave dhe kërkesave të tyre, çdo herë duke u mbështetur në standarde të afirmuara ndërkombëtare dhe praktikat më të mira”, thuhet në komunikatë.