Shërbimi Korrektues i Kosovës i ka ftuar punonjësit e tij që nga data 26 maj të dalin në punën.
Në njoftimin e SHKK-së u tha se i gjithë personeli i Shërbimit Korrektues të Kosovës, nga dita e martë, 26 maj 2020, do të fillojë punën në orarin e rregullt.
Reporteri.net ka dërguar pyetje në adresë së SHKK-së për të pyetur se a janë konsultuar lidhur me këtë vendim me Institutin e Shëndetit Publik dhe a kanë marrë rekomandim nga ky institucion për nisje të punës.
Në përgjigjen për Reporterin, ata kanë thënë se vendimi është marrë pas konsultimeve me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve, i cili funksionon ne kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Para marrjes së këtij vendimi, Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së është konsultuar paraprakisht me Departamentin Shëndetësore të Burgjeve, i cili funksionon ne kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në përgjigje.
Por çka do të ndodhë me ata punonjës të burgjeve të cilët janë edhe prindër dhe i kanë fëmijët në shkolla e çerdhe, e pasi ato aktualisht janë të mbyllura, prindërit duhet të kujdesen vetë për ta, ndërkohë që punojnë edhe me orar të plotë të punës.
Nga SHKK kanë thënë se sa i përket kësaj çështje, të gjithë ata prindër, punonjës të SHKK-së që i kanë fëmijët në shkolla apo çerdhe mund të koordinohen për orarin e punës, si dhe mund të shfrytëzojnë edhe pushimet vjetore.
“Ndërsa sa iu përket prindërve, të gjithë ata prindër, të cilët kanë fëmijët në çerdhe apo në shkollë fillore, mund t`i shfrytëzojnë pushimet vjetore, si dhe mund të bëhet koordinimi i orarit të punës”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Kujtojmë se Kosova tashmë ka hyrë në fazën e dytë të lehtësimit të masave, ndërkohë që numri i përgjithshëm i të infektuarve ka kaluar 1 mijëshin.