Shërbimi korrektues ndalon vizitat familjare për të burgosurit, shkak rritja e rasteve me COVID-19

Prishtinë | 21 Jan 2022 | 10:34 | Nga Ekonomia Online

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shtrënguar masat për të gjithë të burgosurit, për shkak të gjendjes së përgjithshme në të cilën gjendet vendi si pasojë e COVID-19.

Përmes një komunikate për media, SHKK-ja ka njoftuar se do të ndalojë vizitat familjare për të gjitha kategoritë e të burgosurve, ndalimin e vikendeve për të dënuarit nëpër institucionet korrektuese e disa masa të tjera.

“Ndalimin e vizitave familjare për të gjitha kategoritë e të burgosurve, ndalimin e vikendeve për të dënuarit nëpër institucionet korrektuese, ndalimin e vizitave në lokalet e veçanta, aplikimin e sistemit virtual të komunikimit “Skype” lejimin e numrit të shtuar të thirrjeve telefonike gjatë kësaj periudhe, pastrimi i rrobave për të paraburgosur do të organizohet në Institucione”, thuhet në njoftim.

Sipas SHKK-së, nga këto masa përjashtohen Institucioni i Avokatit të Popullit dhe mbrojtësit (avokatët) në rastet kur gjykimi është në zhvillim.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim”, thuhet tutje në njoftim.

Të ngjashme