Infermieri Isah Kadriu kishte pak minuta që po tregonte disa rrëfime nga “historia” e punës së tij dhe stafit tjetër të Qendrës së Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, kur në numrin “194” thërret një qytetar për të njoftuar se dikush nga familjarët e tij ka probleme shëndetësore, dhe se i duhet ndihma mjekësore.
Kadriu e mbylli përkohësisht bisedën me ekipin e gazetës për t’u bërë pjesë e ekipit që tashmë ishte urdhëruar për mobilizim, shkruan sot “Koha Ditore”. Stafi verifikoi pajisjet dhe çantat e ndihmës së parë. Pasi u futën në autoambulancë ndezën alarmin dhe morën drejtimin e Hajvalisë, fshat në periferi të Prishtinës.
Ekipi pranoi me dashamirësi që në “aksion” të marrin me vete ekipin e gazetës.
Ulëset e përparme ishin të rezervuara për ekipin e emergjencës, ndërsa pjesa mbrapa ishte e pajisur me shtratin ku vendosej pacienti, në rastet kur ai duhej të transportohej në qendrën spitalore. Në krah të shtratit ishte vendosur një karrige. Aty pranë ndodheshin të gjitha pajisjet e nevojshme për terapinë fillestare dhe për mbajtjen në jetë të të sëmurit.
Ndërsa, vozitësi nxitonte të mbërrijë sa më shpejt, tek anëtarët e ekipit vërehej një dozë presioni. Nuk dinin se çfarë është gjendja e pacientit dhe nëse do të mbërrinin me kohë.
Ngasësit e veturave të tjera në rrugë dhe kalimtarët tregoheshin zemërgjerë. Secili përpiqej t’i hapte rrugën autoambulancës…